Komisioni Anketues për Onkologjinë, analizohen deklaratat e 60 dëshmitarëve

Situatë e tensionuar në seancën e Komisionit Anketues për zhvillimet në Onkologji, në të cilën po analizohet dokumentacioni i mbledhur dhe transkriptet e deklaratave të rreth 60 dëshmitarëve që u dëgjuan muajin e kaluar. Edhe sot përplasje mes deputetëve të Qeverisë dhe opozitës, për të elaboruar se cila është detyra e tyre gjatë kësaj periudhe shtesë në të cilën shqyrtohet dokumentacioni.

Marketing

“Përgjegjësia objektive politike e ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, si Ministër i atëhershëm është bazuar në nenin 295 nga ligji i mbrojtjes shëndetësore, ku ai duhej të bëjë mbikëqyrje për respektimin e ligjeve nga institucionet shëndetësore, por për fat të keq ministri i Shëndetësisë nuk e ka kryer këtë inspektim.”, – deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja.

“Kolegu gjatë fjalimit të tij nuk u bazua në asnjë dokument, e dini se kemi me mijëra dokumente, ndërsa kemi marrë me mijëra dokumente nga institucionet. Përkundrazi tregonte konstatimet e tij personale, bile edhe gjykoi se kush ka treguar të vërtetën dhe kush jo.”, – theksoi Nenad Kociq nga LSDM-ja.

“Veç më është politizuar ky Komision. Ne më shumë flasim politikisht, ndërsa si komision duhet të miratojmë konkluzione politike, por për këtë duhet të ulemi dhe të merremi vesh. Nëse flasim sipas dëshmive, kjo nuk do të ketë fund.”, – u shpreh Arben Ziberi nga BDI-ja.

“Furnizimet urgjente duhet vënë në pikëpyetje, sepse përmes tyre mund të bëhen keqpërdorime, në veçanti kur kemi të bëjmë me medikamente që vlejnë miliona, kur një ampulë kushton 11 mijë euro. Dyshimin tek furnizimet publike unë çdoherë do ta kem në vete.”, – deklaroi kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.

“Shumë mirë që ngritët çështjen për furnizimet publike, por t’ju rikujtoj se kë zgjodhët për kryetare të Komisionit për furnizime publike para disa ditësh. Në raportin e KE-së sërish sfera më e kriminalizuar janë furnizimet publike. E pengojmë ne këtë apo e pengon dikush tjetër zgjidhjen e kësaj problematike?!”, – theksoi Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE-ja.

Komisioni Anketues do të vazhdojë punën për një muaj, sepse janë shfaqur fakte dhe rrethana të reja dhe të rëndësishme, që janë bazë për përcaktimin e përgjegjësisë politike.