Komisioni Anketues për Onkologjinë: Nuk ka pajtim për konkluza të përbashkëta

Komisioni Anketues për Onkologjinë pa konkluza të përbashkëta, si pasojë e dallimeve midis shumicës dhe opozitës. Shumica thotë se opozita as që është përpjekur të harmonizohen konstatimet, ndërkohë që sipas opozitës maqedonase konkluzat e LSDM-së kanë qenë të përgjithësuara pa kërkimin e përgjegjësisë politike individuale. Deputetët e LSDM-së fajësojnë kryetaren e Komisionit Anketues, Mizrahi, për keqpërdorim të komisionit, manipulim, përhapje të gënjeshtrave për t’i bërë obstruksion hetuesisë. Andaj kërkojnë dorëheqjen e Mizrahit.

Marketing

“Në emër të pacientëve të Onkologjisë, në emër të së vërtetës dhe drejtësisë, Mizrahi do të duhet të japë dorëheqje për keqpërdorim të këtij komisioni. Rastin për onkologjinë pas 30 viteve e hapën institucionet në kohën e LSDM-së dhe koalicionit dhe pa marrë parasysh sjelljen e tillë nga ana e DPMNE-së, përgjegjësi për të gjithë do të vërtetohet.”, – deklaroi deputetja e LSDM-së, Daniela Markoska.

Kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi, mohon të ketë obstruksion në punën e Komisionit Anketues. Sipas saj, gjithçka ka qenë transparente, por që konkluzionet e pozitës nuk përputhen me konkluzionet e tyre. Opozita insiston në përgjegjësi politike për personat e përfshirë në skandalin me Onkologjinë, pasi konsiderojnë se ka shkelje ligjore, si në Klinikën e Onkologjisë dhe mbarë sistemin shëndetësor.

“Unë edhe përkundër kërkesës për dorëheqje dhe cilado që të jenë konkluzat më tej, asnjëherë nuk do t’i bashkëngjitem qëndrimit se nuk kam parë, nuk kam dëgjuar ose nuk do të them diçka, përkundrazi unë do të qëndroj së bashku me të vërtetën. Dyshoj se do të kemi pika të përbashkëta për të bërë konkluza bashkërisht.”, – theksoi kryetarja e Komisionit Anketues, Rashella Mizrahi.

Komisioni sot nuk u mblodh. Mizrahi thotë se do të shohë njëherë kërkesën për dorëheqje për të parë se cili do të ishte epilogu i këtij trupi punues.