Komisioni dha dritë jeshile për “Maqedonia e Veriut”

Me 10 vota pro, 5 kundër dhe asnjë të përmbajtur u miratua draft-amendamenti i 33-të në Komisionin për çështje Kushtetuese. Sipas këtij ndryshimi, emri “Republika e Maqedonisë” do të ndryshohet në “Republika e Maqedonisë së Veriut” gjithkund në Kushtetutë, përveç në nenin 36, ku ka aspekt historik.

Marketing

Gjatë debatit për draft-amendamentin 34 në Komisionin për çështje Kushtetuese, deputeti Ilija Dimovski, tha se VMRO-DPMNE është duke punuar që këto ndryshime Kushtetuese të jenë sa me pak të dëmshme. Ai përveç Marrëveshjes se Ohrit, propozon të ftohen historianët për t’i shqyrtuar edhe tre dokumente juridike, me qëllim që të përfshihen në ndryshimet e Preambulës.

“Dokumenti i parë juridik që mund të bart titullin Kushtetutë, ose më saktë historiografia jonë e klasifikon si Kushtetutë ushtarake. Është shkruar më 1878 nga “Komiteti i të drejtave të kryengritjes maqedonase”.

Kjo Kushtetutë ushtarake që ka mbi 210 nene, rregullon të gjitha të drejtat kushtetuese për dëshirën e themelimit të shtetit të Maqedonisë”, tha Ilija Dimovski, Deputet i VMRO DPMNE-së.

Dy propozimet tjera të Dimovskit janë, “Kushtetuta e fshehtë e luftës revolucionare” e shkruar nga Goce Delçev dhe Gjorçe Petrov në vitin 1896 dhe “Kushtetuta e vitit 1991” si akti i parë i shtetit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela tha se ndryshimi i Preambulës nuk duhet të ngarkohet me shumë histori. Sipas tij është i gabuar përkufizimi i popujve që jetojnë në Maqedoni. Ai me ndryshimet kushtetuese kërkon të vendosen themelet e shtetit binacional.

“Qytetarët e RM-së – populli maqedonas, të fshihet pjesa: ‘si dhe qytetarët që jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar’. Do të thotë, menjëherë pas popullit maqedonas të shkruhet: ‘populli shqiptar, populli vlleh, populli turk, populli serb, populli romë, populli boshnjak dhe të tjerët”, u shpreh Zijadin Sela, Deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Në replikën e këtyre propozimeve, kryeministri Zaev tha se nuk do të përjashtohet asnjë pikë që mund të sjell ndryshime të rëndësishme në frymën e bashkëjetesës ndër-etnike dhe parimeve euro-atlantike.

Pas miratimit të amendamentit të parë, në Komisionin për çështje Kushtetuese vazhdon debati për draft-amendamentin tjetër, në të cilin Preambula e Kushtetutës në vendimet e KAÇKM-së shton elemente të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.

Marketing