Komisioni Disiplinor, do të vendos për dënimin ndaj FC Shkupit

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të premten do të vendos për masat e ndëshkimit kundër klubit të futbollit “Shkupi” lidhur me incidentet në ndeshjen me Shkëndijën e Tetovës që u zhvillua në Çair. Klub inga Çairi mund të dënohet me para, ndeshje pa publik ose pezullim të terrenit, varësisht

vlerësimit të incidentit nga Komisioni Disiplinor.Nisjen procedurës disiplinore kundër Shkupit e konfirmoi për ALSAT edhe presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini, duke theksuar se do ketë ndëshkime konform rregullores së Shtëpisë së Futbollit.

Muamed Sejdini, president i FFM-së,“Lidhur me ngjarjet në ndeshjen ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës, do të respektohen të gjitha procedurat e parapara sipas rregullores së FFM-s dhe Komisioneve përkatëse. Fillimisht delegati i ndeshjes duhet të dorëzojë raportin e tij në Komisionin e Garave, e më pas, në bazë të lëshimeve të konstatuar, lënda kalon në Komisionin e Disiplinës. Ky organ, pas grumbullimit të materialeve dhe fakteve nga gjithë palët e përfshira, del me vendim konform rregulloreve të komisioneve përkatëse. Sigurisht se çdo lëshim do të ndëshkohet konform rregullores”.

Incidentet në derbin mes Shkupit dhe Shkëndijës nisën që në pjesën e parë të ndeshjet kur publiku hodhi në fushë mjete piroteknike që çuan në ndërprerjen e ndeshjes, ndërsa ndërprerja e dytë ndodhi në minutën e 72-të. Arbitri Dejan Jakimovski ndërpreu takimin, pasi nga publiku u hodhën në fushë mjete të forta në drejtim të futbollistëve të Shkëndijës në terren. Futbollistët e Shkëndijës u goditën me sende të forta edhe pas përfundimit të ndeshjes, ndërsa largimi i tyre nga fusha u bë pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë.

Nga Klubi i Futbollit “Shkupi” nuk kanë reaguar për atë që ndodhi në fushën e tyre, ndërsa skuadra nga Tetova, përmes një kumtesë akuzoi drejtuesit e futbollit vendor për caktimin e arbitrit për të cilin kishin dyshime në drejtimin e ndeshjes si dhe mikëpritjen jo të mirë nga FC Shkupi.

“KF Shkëndija kishte kërkuar që Dejan Jakimovski të tërhiqet si arbitër kryesor dhe në vend të tij të caktohet arbiter tjetër me profesionalizëm të dëshmuar. Por Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që nuk e miratoi kërkesën, por edhe nuk ktheu përgjigje zyrtare ndaj së njëjtës,” thuhet mes tjerash në kumtesën e KF Shkëndija.

Skuadra tetovare konsideron se stadiumi në Çair, nuk kishte kushte minimale për sigurinë e lojtarëve, stafit dhe drejtuesve të Shkëndijës dhe beson se FFM do të ndërmerr masat adekuate ndëshkuese, që këto incidente asnjëherë mos të përsëriten./Alsat-m

Marketing