“Ne kemi mundësinë të ndalojmë çdo eksport të planifikuar. Ky është mesazhi që ne po i dërgojmë AstraZeneca: respektoni kontratën tuaj me Evropën përpara se të filloni të dorëzoni në vendet e tjera”, tha Ursula von der Leyen në një intervistë me grupin mediatik gjerman Funke.
“Të gjitha opsionet janë në tryezë,” shtoi ish-ministri gjerman i mbrojtjes, duke dhënë një paralajmërim të qartë dhe duke theksuar se udhëheqësit evropianë do të shqyrtonin dërgesat javën e ardhshme.
Komisioni Evropian njoftoi të enjten se do të niste një procedurë kontraktore për të zgjidhur mosmarrëveshjen me AstraZeneca, dorëzimet e vaksinave të së cilës janë shumë më të ulëta se numrat e planifikuar fillimisht.
Kjo procedurë parashikohet në kontratat e furnizimit të lidhura nga BE për vaksinën. Secila palë ka mundësinë t’i dërgojë një letër palës tjetër duke e ftuar atë të marrë pjesë në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, proces që i cili zhvillohet brenda 20 ditëve mes drejtuesve të Komisionit Evropian dhe kompanisë.
AstraZeneca pritet të shpërndajë 70 milionë doza të vaksinës COVID-19 në tremujorin e dytë, shumë më pak se 180 milion që ka premtuar në kontratën e saj me BE.