Komisioni Europian publikon draftin e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë

Komisioni Evropian (KE) sot i dorëzoi kornizat negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillin e BE-së (vendet anëtare të BE) përmbajtjen e kornizave nuk do ta publikojnë derisa Këshilli nuk i miraton, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Marketing

“Sot shënohet edhe një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian,” qëndron në kumtesën me shkrim të eurokomisarit për Zgjerimin Oliver Varhei.

Kornizat negociuese janë qëndrimi i Bashkimit Evropian në negociatat e anëtarësimit. Komisioni Evropian parashtron projekt korniza deri te vendet anëtare, të cilat duhet t’i miratojnë pas modifikimeve eventuale.

Kornizat ndahen në tre pjesë: parimet udhëheqëse të negociatave inkuadruese, thelbi i negociatave dhe procedurat negociuese, me qëllim që të sigurohet zbatim i plotë i legjislacionit evropian dhe parimeve të tij në korniza ligjore të vendeve kandidate.

Në krahasim me vendet e mëparshme kandidate, Komisioni Evropian thotë se për Shkupin dhe Tiranën janë shtuar edhe parimet e metodologjisë së re të negociatave të miratuar në mars, duke marrë parasysh zhvillimin e legjislacionit evropian, si dhe specifikat dhe meritat e secilit vend veçmas.

Konkretisht, fokusi i këtyre kornizave është në sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonominë, dhe parashikon një “shtytës politik më të fortë” në procesin dhe ritëm më dinamik të negociatave duke grupuar kapitujt e negociatave në grupe tematike.

“Me padurim i pres diskutimet midis shteteve anëtare për të mbajtur sa më parë konferencat e para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre është qartë në Bashkimin Evropian dhe kam besim se ata do të vazhdojnë të kryejnë reformat në rrugën për në BE, siç kanë bërë deri më tani”, tha Varhei.

Sipas diplomatëve, konferenca e parë ndërqeveritare nuk pritet para fundit të këtij viti. Shtetet anëtare do të diskutojnë për zgjerimin në shtator, duke pasur parasysh se vera do të jetë tërësisht e përkushtuar në tentimin të gjendet kompromis për dalje nga kriza ekonomike e BE-së dhe ardhmëria e buxhetit të saj.