Gjermanja Ursula von der Leyen është kandidatja për kreun e Komisionit Evropian, por që të emërohet në detyrën e rëndësishme të Bashkimit Evropian, ajo duhet të marrë mbështetjen e eurodeputetëve në Parlamentin Evropian.
Socialistët dhe Demokratët (SD), që është edhe grupi i dytë më i madh në PE, i kanë dorëzuar agjendën me prioritetet e tyre, Von der Leyen-it, për të cilën kërkojnë mbështetje nëse gjermanja votohet në krye të KE-së.
Nëse Von der Leyen bie dakord me prioritetet e SD, atëherë deputetët do të votojnë për emërimin e saj. Pjesë e agjendës së SD është edhe hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Grupi i dytë më i madh në PE kërkon nga ministrja e Mbrojtjes ende në detyrë e Gjermanisë që të mbështesë hapjen e negociatave me dy shtetet ballkanike.
Vetë Ursula von der Leyen ka deklaruar më parë se dera mbetet e hapur për Tiranën dhe Shkupin. Ajo kërkon të zgjidhet në krye të KE-së, institucion që ka rekomanduar disa herë hapjen e negociatave, por veto është vendosur nga Këshilli Evropian. Votimi në Parlamentin Evropian, për kandidaturën e 60 vjeçares, është parashikuar të bëhet më 16 korrik.