Me kërkesë të qeverisë së RMV-së, Komisioni i Venecias anuloi shqyrtimin e mendimit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ishte planifikuar në rend dite në seancën e 11 dhe 12 tetorit. Ministrja Deskovska thotë se RMV dëshiron që mendimi i Komisionit të Venecias të implementohet në sistemin e drejtësisë në përputhje me standardet europiane dhe jo të merret mendim sa për sy e faqe.
“Mendimi nga ana jonë është dhënë javën e kaluar, por kemi nevojë për hapësirë kohore me qëllim që të konsultohemi që kur të dalim para anëtarëve të Komisionit të Venecias të kemi argumentet tona. Si qeveri morëm vendim që të dorëzohet i tërë ligji që është arritur, bashkë me nenin që ende nuk e kemi miratuar”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska.
E drejta për përdorimin e gjuhës, Zaev: Të mos rrezikojë të drejtën për drejtësi
Edhe kryeministri Zaev pohon se po analizohen kapacitetet institucionale për implementimin e ligjit.
“Matja e drejtësisë përkundrejt të drejtës së përdorimit të gjuhës, nëse kërcënon të parën, atëherë shtrohet pyetja se nëse qytetarët kanë nevojë për këtë gjë. Ne nuk kemi asnjë problem të jemi avangardë ndaj disa normave evropiane, por duhet të kemi aftësinë t’i zbatojmë ato, por nuk duhet të vijmë në një situatë ku nga dëshira për të zbatuar të drejta të caktuara të qytetarëve të rrezikojmë të drejtën për drejtësi”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Mickovski: I paralajmëruam për pasojat, nuk na dëgjuan
Ka reaguar edhe kreu i VMRO-DPMNE-së me një postim në Tuiter.
“Ne i paralajmëruam që pas shqyrtimit të Komisionit të Venecias për çështjen e Ligjit për gjuhët, do të kishte pasoja, si dhe të gjitha çështjet në pritje në gjykatën e Strasburgut”. Mickovski kërkon që pas vendimit të KE-së, nëse Maqedonia merr datë për fillimin e negociatave, patjetër duhet të organizohen zgjedhje parlamentare të ndjekura nga Komisioni Venecias.