95 deputetë miratuan nevojën e ndryshimit të ligjit për regjistrimin e popullsisë kurse 7 prej tyre u deklaruan kundër. Propozim ndryshimi ligjor parashikon shtyrjen e regjistrimit të popullsisë brenda vendit për në shtator. Opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për ta kundërshtuar atë dorëzuan 200 amendamente të cilat u cilësuan si të parregullta nga aspekti formal për t’u shqyrtuar në Komisionin për çështje evropiane. Nuk u pranuan as tre amendamentet e “Të majtës”. Pas komisionit, procedura kalon për votim përfundimtar në seancë plenare.
Propozim-ligji nuk e ndërpret procesin e regjistrimit të diasporës por përkundrazi, propozim-ligji një fjalë që është sot në votim, përskaj afatit 1 mars-21 prill e vazhdon afatin e regjistrimit të diasporës deri në afatin kur duhet të mbarojë regjistrimi brenda vendit më 30 shtator- tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Nisma për shtyrjen e regjistrimit erdhi pas takimit të liderëve Zaev dhe Mickoski, të hënën. Ajo ndryshon datat e zbatimit të regjistrimit në terren kurse parashikon që regjistrimi elektronik i diasporës të vijojë deri në përfundim të shtatorit.
Po si rezultat i takimit të liderëve, në Kuvend u procedua edhe nisma për ndryshimin e Kodit zgjedhor. Ajo ka të bëjë me krijimin e kushteve ligjore për përdorimin e terminaleve për shenjat e gishtave gjatë votimit si dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale për në gjysmën e dytë të muajit tetor. Nevoja për ndryshimin e Kodit zgjedhor u votua unanimisht nga të gjithë deputetët prezent në sallë dhe shqyrtohet më tej në Komisionin për sistem politik.