Komisioni për anti-korrupsion në Maqedoni mbetet i bllokuar, pritet ligj i ri

“Përforcimi i kapaciteteve të Komisionit anti-korrupsion që është përgjegjës për parandalimin e korrupsionit, transparenca gjatë punës së këtij organi, si dhe pavarësia financiare, duhet të inkorporohen si shtylla bazë mbi të cilat do të hartohet ligji i ri për parandalimin e korrupsionit”, thonë ekspertët në këtë lëmi, megjithëse shtojnë se nuk ka ligj ideal, por vendimtare është vullneti politik.

Marketing

Këto komente vijnë pasi nga dikasteri i drejtësisë së Maqedonisë kanë paralajmëruar se grupet punuese po punojnë në hartimin e një ligji të ri kundër korrupsionit.

Ndërkohë që Komisioni për anti-korrupsion mbetet i bllokuar më shumë se katër muaj pasi të gjithë anëtarët e këtij institucioni kanë dhënë dorëheqje pas një skandali për shpërdorim të fondeve.

Vanja Mihajlova, eksperte kundër korrupsionit, për Radion Evropa e Lirë thotë se “kthetrat e politikës” për një kohë të gjatë janë ngulitur në institucionet shtetërore duke bërë që drejtuesit e institucioneve të dëgjojnë direktivat e politik-bërësve dhe jo të zbatojnë ligjin madje edhe anëtarët e Komisionit për anti-korrupsion.

Mihajlova vlerëson se deri më tani partitë politike kanë deleguar persona të dëgjueshëm të cilët do t’i “heshtin” aferat korruptive të cilat e kanë pasur detyrë t’i procesojnë.

“Përmes ndryshimeve ligjore nuk mund të bllokohen të gjitha rrugët që mundësojnë korrupsionin në institucionet e shtetit. Edhe pse tani me sa shoh vendosen kritere më të ashpra sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për anti-korrupsin, megjithatë ligji ideal nuk ekziston, ajo që është më me rëndësi do të thosha se është vullneti politik i shprehur nga të gjitha palët që ligji të mund të zbatohet me përpikëshmëri, përkatësisht lufta kundër korrupsionit të jetë e suksesshme”, thotë Mihajlova.

Ministrja e Drejtësisë në Maqedoni Renata Deskoska, ka thënë se në mes dilemës nëse ja vlen të formohet Komisioni anti-korrupsion në afat të shkurtër, sipas ligjeve ekzistuese, ose të formohet Komision që do të ketë kapacitet për të luftuar korrupsionin duke përjashtuar tërësisht ndërhyrjen e politikës, ajo ka parapëlqyer të fundit.

“Besoni, qasja ime është që duhet të ketë ndryshime thelbësore dhe jo vetëm në mënyrë ilustruese të kënaqim kërkesa të caktuara dhe të tregojmë se kemi bërë diçka. Me të vërtetë interesi dhe dëshira është që të kemi Komision anti-korrupsion që do të ketë kapacitet që ta kryej funksionin e saj”, ka theksuar Deskoska.

Marketing