Kompozitori Artan Kastrati denoncon Komisionin e Ministrisë së Kulturës se e ka shantazhuar atë për marrjen e fondit për koncertin e karrierës së tij dhe të këngëtares Leonora Poloska,. Sipas Kastratit Komisioni ka kërkuar hise “50-50” nga fondet e ndara. Kastrati thotë se në konkursin “Vala e re kulturore” dy veteranët iu kanë bërë hile me ndarjen e vetëm 100 mijë denarëve. Kompozitori thotë se artistët me shantazhe përballen çdo vit kur ndahet paraja publike në projekte kulturore.
Hilet janë shumë të thjeshta, duhet Artan Kastrati të nënvlerësohet duke shkuar të bëj takime me njerëzit, pra me mafiozët e Ministrisë së Kulturës. Që të kalojnë programet e mia pra me korrupsion total ’50-50’. Pra 50% unë i marr nga vlera dhe 50% i marrin ata dhe ndërtojnë shtëpi, blejnë vetura. Këtë problem nuk e kam vetëm unë qe 20 vite, por edhe artistët tjerë meritorë të kulturës shqiptare dhe maqedonase. Duhet t’i themi stop, është turp për këta njerëz që faktikisht neve na degradojnë – tha Artan Kastrati, Kompozitor.
Nga Ministria e Kulturës përgënjeshtrojnë pretendimin e kompozitorit Kastrati, duke thënë se të gjitha subjektet fizike dhe juridike të pakënaqurit me fondet e ndara kanë të drejtë ankese. Faton Fazliu nga kjo ministri thotë se prioritet ishin projektet e vogla nga zonat rurale.
E kam të qartë se do të ketë edhe njerëz, të cilët do të jenë të pakënaqur nga ky konkurs. Por mund t’ju siguroj se komisioni ka vendosur në bazë të kritereve që kanë qenë të parapara dhe në mënyrë të pavarur. Nëse më duhet të flas për projektin konkret, Artan Kastrati është mbështetur nga Ministria e Kulturës, ai ka hapësirë ligjore prej 15 ditësh të bëj elaborim dhe kërkesë shtesë për çfarë i duhen mjetet ekstra dhe nëse Komisioni e sheh të arsyeshme mund të përgjigjet pozitivisht – tha Faton Fazliu, Shef i Kabinetit të Ministrit të Kulturës.
Për manifestimin e përvitshëm “Vala e re kulturore” që zhvillohet në gjithë vendin nga 20 shtator deri më 15 nëntor, Ministria e Kulturës sivjet ka ndarë 20 milion denarë. Në konkursin ku kanë aplikuar 456 projekte, fonde janë ndarë për 154 prej tyre, koncerte, ekspozita, shfaqje teatrale dhe projekte filmike. Komisioni i Ministrisë së Kulturës përbëhet nga Ismet Ramadani, Samet Xhelap dhe Irena Steriovska, të cilët theksojnë se përparësi kishin projektet që nuk janë financuar nga Programi vjetor me interes kombëtar në fushën e kulturës për vitin 2019.