Kohët e fundit, nuk po mbarojnë lajmet e mira për Elon Musk.
Dy nga sipërmarrjet e tij më të njohura, Tesla dhe Space X, u kritikuan fillimisht, jo për gjenialitetin dhe kurajën pas tyre, por për dyshimin se në afatmesëm nuk do të ishin rentabël dhe do të harroheshin si projekte.
Por ndërkohë që udhëtimet hapësinore dhe transporti me kosto më të ulët i sateliteve po bëhen realitet me raketat e Space X, edhe Tesla po fillon të përfitojë nga shifra masive shitjeje.
Lajmi i bujshëm i ditëve të fundit vijnë nga tregu evropian i automjeteve, ku pikërisht vetura elektrike të Musk kanë qenë më të shiturat, dhe jo vetëm në segmentin elektrik, por në renditjen e përgjithshme.
Ne veçanti, mjeti i quajtur Model 3 rezulton më i shituri i shtatorit, me 24 600 të tillë. Një rekord historik për një mjet elektrik, që për herë të parë kalon gjigantët tradicional të industrisë automobilistike si Volkswagen dhe Renault.
Tregu po i jep besim mjeteve elektrike dhe hibride, që tashmë janë 25% e shitjeve, dhe veçanërisht krijesës së Musk, dhe kjo përkthehet në arkëtime rekord për kompaninë amerikane.
Elon Musk mund të bëhet gjithashtu trilioneri i parë në botë dhe sipas ekspertëve vetëm 2% e pasurisë së tij zgjidh problemin e urisë.