Me ndryshimet e fundit përfshirja e punëtorëve të falimentuar të cilët do të sigurohen materialisht deri në pensionimin e tyre zgjerohet edhe për 1.000 persona, kumtuan nga shërbimi qeveritar për shtyp, pasi që në mbledhjen e sotme Kuvendi i votoi ndryshimet dhe plotësimet më të reja të Ligjit për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi dominuese shtetërore.
Njëherit, me ndryshimet e fundit, numri i përgjithshëm i falimentuesve të siguruar materialisht të cilët i zgjidhi kjo Qeveri për dy vite e gjysmë është 12.000.
“Ligji hyn në fuqi me publikimin në Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u bëjmë thirrje punëtorëve të falimentuar prej të premtes të parashtrojnë kërkesë në Qendrat për punësim në mënyrë që të mund ta realizojnë të drejtën e shfrytëzimit të kompensimit mujor prej rreth 8.000 denarëve”, cekën nga shërbimi qeveritar për shtyp.
Theksuan se prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale është lufta kundër varfërisë dhe përmirësimi i kushteve për jetë të çdo individi në shtet.