Komuna e Gostivarit dekoroi qytetin për muajin e shenjtë të Ramazanit

Me rastin e muajit të Ramazanit, Komuna e Gostivarit për herë të parë, në qendër të qytetit zbukuroi qytetin me ndriçime dhe me simbole që karakterizojnë këtë muaj të shenjtë për t’i dhënë atmosferë festive Ramazanit.

Marketing

Në lidhje me zbukurimin e qytetit, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani tha se Ramazani krahas vlerave fetare, paraqet festë për besimtarët myslimanë.

“Ideja për zbukurimin simbolik gjatë muajit të Ramazanit ka ardhur pas bisedave të shumta në shumë rrethe, edhe me miqtë tanë edhe me bashkëqytetarët tanë, të cilët gjithmonë kanë shprehur dëshirë që të ketë atmosferë festive edhe gjatë këtij muajit të Ramazanit. Me këtë, vendosëm që këtë vit, ta fillojmë si traditë me të vetmin qëllim që edhe gjatë këtij muaji, qytetarët tanë të besimit islam, ta ndjejnë atmosferën festive dhe të dërgojmë mesazh se ky muaj është muaji, sa është i bekuar, është edhe muaj festiv për të gjithë myslimanët, dhe me këtë t’i japim dimension tjetër ditëve të Ramazanit”, u shpreh Limani.

Ai shtoi se edhe vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, zbukurimi do të jetë edhe më i mirë dhe më i bukur, ndërsa zbukurime do të ketë edhe për festat fetare të besimeve tjera që jetojnë në Gostivar në mënyrë që të respektohen të gjithë qytetarët pa përjashtim.