Komuna e Haraçinës mbyll dyert shkaku i kërcënimeve

Persona të armatosur kanë hyrë në komunë të Haraçinës dhe kanë kërcënuar kryetarin e komunës. Kjo ngjarje është bërë shkak që komuna e Haraçinës të mbyll dyert deri në një afat të pacaktuar për shkaqe sigurie. Ibrahimi thotë se që nga marrja e mandarit ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme.

Marketing

“Jo vetëm mua personalisht që më kërcënojnë, por edhe tërë administratën komunale. Andaj, mu për këtë shkak nga dita e martë prej kur ndodhi incidenti i fundit, administrata komunale nuk do të jetë në funksion për shkak të kërcënimeve që vijnë nga persona të caktuar që shkaktojnë incidente dhe nuk do të jetë në mundësi që qytetarëve tua ofrojmë shërbimet e duhura.”, tha kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi.

Shkak i sulmit të fundit është projekti i komunës per ndërtim të një zone industriale dhe stadiumi, në një tokë për të cilën Ibrahimi thotë se është uzurpuar nga sulmuesit në fjalë.

“Fatkeqësisht këta prona për momentin janë të uzurpuara nga personat që shkaktuan incidentin dhe në momnetin që tash më jemi në fazën përfundimtare të këtyre procedurave ata sërisht marrin guximin dhe na kërcënojnë me jetët tona. Ky nuk është as kërcënimi i parë dhe nëse nuk merren masa nga organet e rendit nuk do të jetë edhe i fundit.”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë ministri i punëve të brendshme edhe pse tha se do të ketë kallëzime ndaj personave që kanë prishur rendin dhe sigurinë, megjithatë vlerësoi se ajo që po ndodh në Haraçinë, është punë që duhet ta sqarojnë mes vete palët e përfshira.