Inspektorërët e Komunës së Karposhit kanë urdhëruar rrënimin e një xhamie në ndërtim e sipër në vendbanimin Zllokuqani.
Sipas Komunës së Karposhit xhamia që po ndërtohet është ndërtim i paligjshëm dhe njerëzit që po e ndërtojnë kanë 15 ditë kohë për ta rrënuar.
“Pasi qytetarët kanë lajmëruar se mes shtëpive në mes të lagjes po ndërtohet një xhami, të shtunën në terren kanë dalë inspektorët e Komunës. Nga ta është konstatuar se ka një objekt për të cilin nuk është lëshuar leje ndërtimi”, thuhet në njoftimin e komunës së Karposhit.
Nëse objekti nuk rrënohet vullnetarisht brenda afatit të paraparë, rasti do të raportohet në Inspektoratin Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm dhe do të pasoj rrënimi thonë nga komuna e Karposhit.
Bashkësia Islame është pronare e parcelës ku po ndërtohet xhamija që nga prilli i vitit 2019, për çka posedon edhe fletëpronësi por nga komuna kanë thënë se nuk kanë lëshuar leje për ndërtim të xhamisë.
Nga BFI paralajmërojnë sqarim të kësaj çështjeje ditëve në vazhdim.