Komuna e Tetovës me vendim pas protestave për sigurinë e këmbësorëve në rrugën Industriale

Sot në Komunën e Tetovës u realizua takim mes kryetares së komunës Teuta Arifi dhe përfaqësuesve të këshillit iniciativ të protestës për rregullimin e çështjes së sigurisë së këmbësorëve në rrugën Industriale.

Marketing

Siç thonë nga Komuna e Tetovës, në takim u bisedua rreth problemit të shpejtësisë me të cilën qarkullojnë automjetet në këtë rrugë, sigurisë së këmbësorëve në komunikacion, që shpesh ka rezultuar më aksidente në trafik dhe që fatkeqësisht kanë marrë edhe jetë njërëzish.

U pajtuam se siguria e qytetarëve është prioritet i padiskutueshëm, dhe u dakorduam që në një afat sa më të shkurtër kohor të fillojmë me hapa konkret, duke marrë masa për të minimizuar mundësinë e paraqitjes së aksidenteve të trafikut në të ardhmen.
Në këtë drejtim, komuna e Tetovës deri ditën e premte (29.01.2021):

– Do të dergojë kërkesë deri tek SPB Tetovë për vendosjen e pengesave në rrugë, në 3 lokacione ku gjenden edhe vendkalimet për këmbësore, në aksin rrugor të rrugës Industriale që fillon prej te rrethrotullimi me rrugën V. Milladinov deri tek rrethrotullimi me bulevardin e Ilindenit. Menjëherë pas aprovimit të kërkesës komuna e Tetovës do të vendos pengesat rrugore në këtë rrugë me qëllim reduktimin e shpejtësisë së automjeteve në vendet e shënuara si vendkalime për këmbësorë.

– Do të rishqyrtojë vendimin për mbylljen e derës së pasme të SHF Kirili dhe Metodi, me kërkesë dhe arsyetim të këshillit iniciativ, se mbyllja e kësaj dere do t’i detyrojë nxënësit që të qarkullojnë akoma më shumë, duke kaluar më shumë rrugë frekuente të asaj pjese të qytetit për të arritur shkollë, dhe kjo për ta nënkupton rrezik shtesë gjatë qarkullimit në komunikacion.

– Komuna e Tetovës do të shqyrtojë edhe mundësinë për ndërtimin e ndarjes fizike mes dy drejtimeve rrugore të bulevardit lndustrial, që do të pamundësojë kalimin e rrugës nga këmbësorët në vendet që nuk janë të shënuara si vendkalime të tilla. Komuna e Tetovës deri ditën e premte do të njoftojë këshillin organizativ për formën dhe afatin kohor të realizimit të kësaj kërkese“, thuhet në njoftim.

Komuna e Tetovës gjithashtu përgëzon këshillin organizativ për këtë iniciativë shumë të rëndësishme dhe domethënëse, si formë të qytetarisë aktive dhe pjesëmarrjes direkte të qytetarit në vendimarrje, për çështje të interesit të përgjithshëm.

Marketing