Komunat kërkojnë më shumë mjete

Kryetarja e Tetovës, Arifi, dhe kreu i Gostivarit, Arben Taravari, kërkojnë që qeveria të rris përqindjen e buxhetit nga 4.1 në 6% për komunat, me qëllim që të mund të realizohen projektet e parapara. Dy kryetarët, Arifi dhe Taravari, vlerësojnë se komunat nuk duhet të pranojnë kompetenca shtesë pa mjete shtesë, dhe, sipas tyre, decentralizimi duhet të ndodhë sa më shpejt, pasi është në të mirë të zhvillimit të komunave me një dinamikë më të lartë.

Marketing

“Komunat nuk duhet të pranojnë kompetenca shtesë nëse ato kompetenca nuk barten me mjete shtesë për realizimin e tyre. Problemi i decentralizimit është se nuk mund të bartin kompetenca të komunave dhe të bartin financat, ndërsa financat të mbesin në nivel qendror dhe jo ne të mbajmë vetëm hallet, kjo nuk është në rregull”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Një sasi më e madhe duhet t’ju kthehet komunave për investime kapitale dhe vazhdojmë me ketë kërkesë, po për këtë duhet të vendos qeveria, pasi nuk mund të funksionojmë, thjesht është e pamundshme, posaçërisht po flas për komunat rurale të cilat nuk kanë të ardhura, përsëri Tetova dhe Gostivari kanë të ardhura prej urbanizimit, por komunat rurale kanë probleme serioze. Duhet të decentralizohet pushteti në Maqedoni, është njëra prej mangësive më të mëdha”,- theksoi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Deri sa krerët e komunave të Pollogut ankohen për diskriminim nga pushteti qendror, ministri i pushtetit lokal, krenohet se rritja e mjeteve për rajonin e Pollogut është bërë për 100%.

“Dallimi prej 2017 dhe tani në vitin 2019, rritja është për 100%. Kemi rritje, do të thotë që për vitin 2017 kishim rritje për zhvillim të barabartë rajonal për 4.5 milion euro, ndërsa tani kemi më shumë se 7 milion euro mjete të dedikuar për zhvillim të barabartë rajonal, gjë e cila si politikë e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale targeton që gjithmonë të shkojë në rritje deri sa të arrihet 1% nga BPV, e cila është prioritet kryesor i qeverisë dhe patjetër se do të arrihet”,- tha ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.

Këto komentet u bënë në forumin e parë rajonal në kuadër të projektit “Zhvillimi i balancuar dhe gjithëpërfshirës rajonal”.