Komuniteti ndërkombëtar me përkrahje intensive për referendumin

Nga ju varet, vendimi është i qytetarëve, referendumi është mundësi historike për vendin, e cila nuk vjen çdo ditë, mbështetje për suksesin e shprehjes plebicitare të qytetarëve. Këto janë një pjesë e porosive të cilat ditët e kaluara në aktivitete të intensifikuara diplomatike i përcollën përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, të cilët e vizituan Maqedoninë në prag të referendumit.

Marketing

Në Shkup dje për herë të parë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, para 25 vitesh, në Ditën e Pavarësisë, qëndroi kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo në pres konferencën e përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev potencoi se vizita e saj dhe mbështetja për referendumin dhe Marrëveshja e Prespës në vete nuk përmbajnë elemente kërcënuese apo çfarëdo presioni me qëllim të ndikohet ndaj qytetarëve të Maqedonisë.

“Askush nuk i kërcënon qytetarët e Maqedonisë me izolim. Ata munden dhe vetë duhet të vendosin për të ardhmen e shtetit. E ardhmja mund të jetë anëtarësimi në NATO dhe në BE, nëse keni sukses në referendumin e 30 shtatorit. Por, gjithsesi, duhet të thuhet se ka edhe parakushte të caktuara të cilat duhet plotësuar”, tha dje Merkel.

Ajo theksoi se kontesti midis Maqedonisë dhe Greqisë duhej të zgjidhej, sepse vendimet për integrim të vendit në BE dhe NATO më pas sillen në mënyrë konsensuale nga të gjitha vendet anëtare.

“Njerëzit më 30 shtator kanë mundësi njëjtë siç vepruan para 27 vitesh, të votojnë nëse duan t’i takojnë familjes së BE-së dhe NATO-s, ndërsa kjo njëherësh kërkon edhe pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”, tha Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ajo doli me mesazh të qartë politik – “Mos qëndroni në shtëpi më 30 shtator, në këtë datë historike. Shfrytëzoni shansin dhe thoni se çfarë të ardhme dëshironi të keni”.

Merkel dje u takua edhe me liderin e opozitës dhe theksoi se porosia deri tek ai ka qenë se “për çështje kryesore në një demokraci duhet të ketë përgjegjësi të përbashkët kombëtare”.
Mickoski pas takimit me Merkel deklaroi se gjatë javës së ardhshme organet partiake të VMRO-DPMNE-së do të mbajnë mbledhje dhe do të vendoset qëndrimi përfundimtar për referendumin.

Në prag të referendumit për vizitë në Maqedoni qëndruan sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg, ministri për Punë të Jashtme i Luksemburgut Zhan Aselborn, kancelari austriak Sebastijan Kurc.

“Brenda pak javësh do të keni një referendum në të cilin do të vendosni për të ardhmen, për anëtarësimin tuaj në BE dhe në NATO. Ju do të vendosni nëse doni të votoni dhe të shprehni mendimin, ndërsa NATO-ja është gati t’ju pranojë si shtetin e 30-të anëtar”, ishte porosia, të cilën e përcolli Stoltenberg.

Për ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut Aselborn referendumi paraqet sfidë për vendin.
“Duhet të vendosni nëse do të qëndroni në të kaluarën, apo do të zgjidhni të ardhmen. Pjesëmarrja në referendum duhet të jetë e lartë, që do të jetë në interes të vendit tuaj dhe të BE-së”, shtoi ai.

Për Kurc zgjidhja e kontestit me emrin është mundësi e madhe për dinamikën e Maqedonisë dhe të gjithë rajonit. Ai gjatë qëndrimit në Shkup ju bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në referendum dhe të votojnë “për” perspektivë evropiane të Maqedonisë.

“Ai është vendim i çdo individi dhe me të vërtetë unë nuk mundem të vendosi për dikë tjetër, por si mik i Maqedonisë dhe si një shtet anëtar aktiv i BE-së ne konsiderojmë se do të ishte shumë pozitive nëse ka dalje të madhe dhe rezultate pozitive në referendum”, tha Kurc, vendi i të cilit është kryesues aktual me BE-në.

Sot në Shkup është senatori amerikan dhe kryesues i Komisionit për siguri shtetërore Ron Xhonson, i cili është një nga bashkë-financuesit e rezolutës të Senatit për mbështetje të Marrëveshjes së Prespës.

Marketing