Konferenca mbarëkombëtare “Një komb – një gjuhë” vazhdon në Prishtinë

Sipas agjendës së paraparë, dita e dytë e konferencës mbarëkombëtare
“Një komb – një gjuhë” është mbajtur në Institutin Albanologjik të
Prishtinës.Në këtë konferencë fjalën e hapjes e pati drejtori i Institutit
Albanologjik, prof. Hysen Matoshi, i cili foli për dinamikën e
organizimit të ngjarjeve rreth Kongresit të Manastirit dhe të
Kongresit të Drejtshkrimit. Mes tjerash, drejtori Hysen Matoshi u ndal
në rëndësinë që ka gjuha standarde për unifikimin e kombit, duke e
veçuar shembullin që në këtë 50-vjetor e kanë dhënë tre institucionet
shkencore, si Akademia e Studimeve Albanologjike i Tiranës, Instituti
Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e
Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Pas tij, kumtesën qendrore të kësaj konference e mbajti Akad. Rexhep
Qosja, si pjesëmarrës dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të
Drejtshkrimit. Në një elaborim filologjik dhe historik, ai tha se
“Kongresi i Drejtshkrimit është ngjarja më e madhe kulturore e kombit
tonë”.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve – Shkup, në fjalën e tij theksoi se: “Duke e përfaqësuar
Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në
Shkup, që sivjet shënon 15-vjetorin e themelimit, dhe kështu duke u
bërë zëri i albanologjisë në Maqedoninë e Veriut, dua të ndaj me ju
kënaqësinë se alfabeti dhe drejtshkrimi na kanë integruar si komb edhe
në kuptimin gjeografik. Kongresi i Alfabetit, që është mbajtur në
Manastirin e Maqedonisë së Veriut, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe
Kongresi i Drejtshkrimit të Tiranës, janë tri pikat që më mirë se
gjithçka e hartëzojnë identitetin tonë të përbashkët kombëtar. Si për
koincidencë, kjo konferencë dhe këto aktivitete shkencore po bëjnë
përsëri bashkimin e kombit, duke na mësuar se kufijtë politikë janë
trivialë dhe se neve na pret një e ardhme europiane pa kufij.”.
Konferencën e përshëndeti edhe zëvendësrektori i Akademisë së
Studimeve Albanologjike, prof.. Valter Memisha, që po ashtu e theksoi
rëndësinë që ka gjuha standarde në kohezionin e kombit, si dhe
drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, prof. Ylber Sela.
Sipas marrëveshjes ndërmjet të ri institucioneve, edhe sot në
Prishtinë me kumtesa u paraqitën nga dy pjesëmarrës të Shkupit dhe të
Tiranës. Nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
Shqiptarëve – Shkup në sesionin e Prishtinës morën pjesë studiueset
Dr. Hidajete Azizi dhe Mr. Idaete Sinani.

Marketing
Marketing