Konferenca ministrore në Berlin, Osmani: Integrimin në BE e dikton gjeopolitika e re

Maqedonia e Veriut paraqet test të vullnetit të Bashkimit Evropian në politikën e zgjerimit, ka thënë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, në konferencën ministrore në Berlin. Nën temën “Unioni i zgjeruar më i fuqishëm”, Osmani ka spikatur skemën e re gjeopolitike, që sipas tij kërkon investim gjeostrategjik për sigurinë e Unionit. Para pjesëmarrësve në konferencë, Osmani ka shpalosur peripecitë e vendit për t’iu bashkuar familjes evropiane, e që sipas tij, shpesh kanë qenë të mundimshme për shtetin, duke potencuar fillimisht sfidën bilaterale me Greqinë, e tani me fqinjin lindor.

Marketing

“Maqedonia e Veriut është testi i lakmusit për kredibilitetin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Mund të dëshmoj në mënyrë empirike se Evropa sot po përballet me një zgjim gjeopolitik, i cili duhet të sigurojë një investim gjeostrategjik në sigurinë e Bashkimit Evropian. Në vitin 2002 ishim bashkë me Slloveninë dhe Kroacinë dhe të gjithë besonim se do të integroheshim bashkë, por tash jemi jashtë rrethit. Ata tani festojnë 10 vjetorin e tregut të përbashkët, ndërkaq ne akoma s’i kemi filluar bisedimet.”, – theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Një fjalimin e tij, ministri Osmani iu referua edhe konceptit “Më shumë integrim, para anëtarësimit në BE”, si një nga modalitetet për të arritur në mënyrë efektive ekonomitë dhe standardin e vendeve të Unionit. Lidhur me reformat, sugjeroi të trajtohen si komplementare me zgjerimin. Takimi në Berlin po mbahet para se Komisioni Evropian të publikojë pakon e zgjerimit, së bashku me raportet për vendet, të cilat do të japin rekomandime për hapat konkret, për të cilat do të vendos Këshilli Evropian në dhjetor.