Nëntë persona janë konfirmuar të infektuar me variantin “Omicron” të koronavirusit në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës njofton se në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKSHPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021, ku 9 prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit “Omicron”.
Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste: dy raste janë të importuara nga SHBA, dy nga Mbretëria e Bashkuar, një nga Franca dhe 4 raste me variantin “Omicron” janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.
Testimi është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSH-së. Pas paraqitjes së “Omicron” në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndohet situatën epidemiologjike.
Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti “Delta”. MSH dhe IKSHPK u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe t’i inkurajojnë tjerët për vaksinim.