Konfirmohet vrasja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, ka konfirmuar se ka vdekur lideri i Hamasit, Yahya Sinwar.

Marketing

Më herët, ushtria izraelite tha se po kontrollonte mundësinë që ai të ishte vrarë, ku janë kryer testet e ADN-së, shkruan skynews.

Katz tha në një deklaratë se “vrasësi masiv Yahya Sinwar, i cili ishte përgjegjës për masakrën dhe mizoritë e 7 tetorit, u vra sot nga ushtarët e IDF-së”.

Ai e quajti vdekjen e liderit të Hamasit një “arritje të madhe ushtarake dhe morale për Izraelin”.

“Eleminimi i Sinwarit krijon një mundësi për lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe një ndryshim të mundshëm që mund të çojë në një realitet të ri në Gaza – pa Hamasin dhe pa kontrollin iranian”, pohoi ministri.

Të dhënat dentare ndihmuan Izraelin të identifikonte trupin e liderit të vrarë të Hamasit, Yahya Sinwar, tha një zyrtar amerikan dhe ish-zyrtar i njohur me këtë çështje, përveç biometrikeve të tjera.

Sinwari ishte një prej arkitektëve kryesorë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, sulm që nxiti luftën në Gazë.

Ai u zgjodh udhëheqës i grupit pas vrasjes së Ismael Haniyehut në korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.

Para se të merrte udhëheqjen e Hamasit, Sinwar kishte drejtuar krahun e armatosur të grupit.

Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona – shumica civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

Përderisa Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për disa nga vdekjet e zyrtarëve të lartë të Hamasit, ka pranuar se ka vrarë disa zyrtarë, përfshirë Saleh al-Arouriand Mohammed Deif, komandantin ushtarak të Hamasit.