Kongresi i jashtëzakonshëm i ASh-së në Shkup, këto janë vendimet

Sot, më 16 shkurt 2024, me ftesë të Kryetarit dr. Arben Taravari dhe bazuar në prerogativat e tij statutare, Aleanca për Shqiptarët mbajti Kongresin IV të jashtëzakonshëm në Shkup, ku ishin të pranishëm 421 delegatë, apo shumica dërmuese e anëtarëve të organit më të lartë të partisë.

Marketing

Pas miratimit të Rregullores së punës së Kongresit, delegatët unanimisht sollën një numër vendimesh.

U miratua kandidatura për President të Republikës e Kryetarit të Partisë, Arben Taravari, si propozim i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, përkrahur nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit 2024.

U shfuqizuan vendimet e mbledhjes jolegjitime të Kuvendit të Partisë, mbajtur më 10 shkurt 2024, pasi që e njëjta u karakterizua me shkelje të shumta statutare, manipulime dhe falsifikime tanimë të faktuara, për të cilat sot Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi ngritjen e një padie penale ndaj abuzuesve.

U miratua ndryshimi i statutit të Aleancës për Shqiptarët, duke shfuqizuar ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin III të jashtëzakonshëm mbajtur më 24 dhjetor 2022, dhe duke rikthyer versionin paraprak të statutit, miratuar më 27 mars 2022 në Kongresin II të Partisë, me synim të eliminimit të disfunksionaliteteve në vendimmarrjen partiake. Një nga implikimet imediate të këtyre ndryshimeve është heqja e pozitës së Kryetarit të Kuvendit dhe të kompetencave të organit të njohur paraprakisht si Kryesia e ngushtë e partisë.

Në një frymë dhe eufori të madhe, Kryetari dr. Arben Taravari i falënderoi delegatët për përkrahjen e tyre unanime dhe theksoi se ndryshimi tashmë ka nisur dhe se Aleanca për Shqiptarët do të udhëheqë një fushatë pozitive, duke i hapur dyert për të gjithë ata që e duan ndryshimin e shumëpritur.