Konstituohet grupi parlamentar ndërpartiak për pozitën e personave me aftësi të kufizuara

Në seancën konstituive të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Avancimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara u diskutua  për promovimin dhe avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, për mbështetjen dhe njohjen e gjuhës së shenjave si gjuhë zyrtare në vend, si dhe zbatimin e konventës për të drejtat e personave me nevoja të veçanta. Ky grup do ta ketë edhe mbështetjen e kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
Pesha e kësaj ngjarjeje tejkalon përgjegjësinë tonë institucionale. Vlerësoj se më shumë se kaq, ka të bëjë me përgjegjësinë tonë morale dhe njerëzore për të reflektuar mbi sfidat, përfaqësimin dhe arritjet e një komuniteti qenësor në shoqërinë tonë.
Me këtë rast, përgëzoj ngjarjen dhe punën e Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Avancimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili padyshim tashmë është një zëdhënës aktiv dhe një urë lidhëse mes institucioneve, organizatave dhe personave me nevoja të veçanta.
Personat me aftësi të kufizuara janë një pjesë e ndjeshme, por jetike, e shoqërisë sonë. Është e pamohueshme që ata përballen me sfida dhe pengesa të ndryshme, por jam i bindur se potenciali i tyre për të kontribuar në të gjitha sferat e shoqërisë është i pakufizuar.
Historikisht, nga Ajnshtajni deri te Hawking, nga Betoveni deri te Frida, është dëshmuar se çfarë mund t’i japin botës individë që kishin aftësi të kufizuara. Ndërkaq, personalisht kam parë entuziazëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm nga individë të tillë, që më kanë bindur se fjala “kufizim” nuk është një term i drejtë për ta. Të pasurit një aftësi të kufizuar nuk i kufizon as vizionin dhe as intelektin e tyre. Prandaj, gjithçka që u nevojitet atyre është mundësia për të dëshmuar veten në fusha të caktuara.
Në këtë pikë, detyra jonë kolektive është të sigurojmë këtë mundësi për ta. Të krijojmë kushte që lejojnë pjesëmarrjen e tyre aktive për të shfrytëzuar potencialin e tyre. Duhet të angazhohemi për një sistem arsimor inkluziv dhe për mundësi të barabarta punësimi, duke respektuar dhe vlerësuar diversitetin.
Sot, shfrytëzoj këtë rast për t’ju inkurajuar që të bashkojmë forcat tona. Nga Kuvendi, ministritë përkatëse, organizatat dhe shoqatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duhet të mishërojmë iniciativat tona dhe t’i japim zë kërkesave dhe nevojave të këtij komuniteti. Të thellojmë bashkëpunimin në krijimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë.
Si kryetar i Kuvendit, jam i gatshëm të vihem në dispozicion të këtij objektivi në çfarëdo forme që është e nevojshme. Mirëpresim propozime dhe iniciativa që janë në shërbim të zbatimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Për fund, mesazhi im kryesor është për këta persona: Të gjithë kanë një rol në këtë shoqëri, ndërsa asnjë nga ne nuk është i njëjtë me tjetrin. Diversiteti nuk është një pengesë e vërtetë që të liroheni nga roli që keni në shoqëri, dhe as kufizimi i një aftësie nuk është një kufizim i vërtetë për të hequr dorë nga ëndrrat dhe aspiratat tuaja. Mjafton të keni guxim dhe të qëndroni optimist, sepse siç na thotë një mësim: “Ndonjëherë janë pikërisht njerëzit që askush nuk mund t’i besojë, ata që bëjnë gjërat që askush nuk mund t’i imagjinojë.”
Duke ju falenderuar për vëmendjen, uroj të kemi diskutime dhe ide sa më produktive! -tha Gashi.
Marketing