Konstituohet Këshilli për bashkëpunimin e Qeverisë me Shoqërinë civile

Zëvendëskryeministri i Qeverisë i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arbën Fetai, mori pjesë sot në seancën e parë të përbërjes së re të Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile. Me këtë akt, përfundoi formalisht bojkoti disavjeçar i Këshillit nga ana e organizatave të shoqërisë civile, i cili kishte filluar si reagim ndaj shpërndarjes joparimore të fondeve publike nga qeveria e mëparshme.

Në fjalimin e tij para anëtarëve të Këshillit, Zëvendëskryeministri Fetai theksoi rolin thelbësor të sektorit civil si mbrojtës i demokracisë dhe si partner konstruktiv në krijimin e politikave më të mira publike.

“Organizatat e shoqërisë civile nuk janë dekor i demokracisë, por mbikëqyrës aktiv i saj – zëri që ngre alarmin kur shfaqen fenomene si korrupsioni dhe padrejtësia”, theksoi Fetai.

Ai shtoi se Qeveria ka për detyrë jo vetëm të dëgjojë, por edhe të veprojë.

“Demokracia është një proces i vazhdueshëm i vetëkorrigjimit. Roli juaj është thelbësor në këtë proces, ndërsa detyra jonë është ta mbështesim atë pjesëmarrje,” tha ai.

Duke u ndalur te sfidat me të cilat përballet sektori civil, Fetai përmendi qasjen e kufizuar në fonde, mungesën e mbështetjes institucionale dhe kornizën ligjore jo mjaftueshëm funksionale.

“E di çfarë do të thotë të kërkosh fonde, të raportosh në detaje për projektet dhe të përballesh me institucione që shpesh nuk të kuptojnë,” tha Fetai, duke shtuar se një shoqëri civile e organizuar mirë dhe me mbështetje të duhur ka fuqinë të sjellë ndryshime thelbësore në shoqëri.

Në këtë drejtim, ai theksoi qëllimin e sinqertë të Qeverisë për të vendosur një bashkëpunim të mirëfilltë me sektorin civil, duke përmendur vendimin e fundit për përfshirjen e një përfaqësuesi të shoqërisë civile me të drejtë vote në Trupin Ndërresorial për koordinimin e luftës kundër korrupsionit.

 

Marketing