Koordinim në Kuvend, Xhaferi rikonfirmon afatet për Qeverinë teknike

Kryeparlamentari Talat Xhaferi mblodhi në koordinimin e parë për këtë fillim vit koordinatorët e partive parlamentare për të rikonfirmuar afatet ligjore për zgjedhjen e kryperlamanetarit të ri që do ta pasojë Xhaferin, si dhe afatet për votimin e Qeverisë teknike në krye me Xhaferin. Nga 22 deri më 28 janar do të vijojnë seancat për realizimin e këtyre procedurave. Fillimisht do të konstatohen dorëheqjet e kreut të Qeverisë dhe të Kuvendit dhe më pas emërimet e reja, zgjedhja e Qeverisë 100 ditëshe, si dhe emërimi i ministrave dhe zëvendësministrave në Qeverinë teknike.

Marketing

Kompletimi i KShZ-së, pushteti fton opozitën në dakordim

Koordinimi është zhvilluar pa pjesëmarrjen e opozitës shqiptare, të cilët kanë nisur bojkotin ndaj të gjitha aktiviteteve në Kuvend, për shkak të ngecjeve në përzgjedhjen e anëtarit të KShZ-së. Kjo çështje nuk është prekur në koordinim, por partitë në pushtet konsiderojnë se opozita shqiptare për vendin vakant në KShZ do të duhet të ulet dhe të koordinohen për sigurimin e shumicës së nevojshme.

“Shpresoj që këto parti nga një, nga dy deputetë do të arrijnë të dakordohen dhe të kenë të qartë se çka dëshirojnë të arrijnë, ndërsa për ne nuk është problem.”, – theksoi Arbër Ademi nga BDI-ja.

“Ky ngërç zgjidhet vetëm me marrëveshje. Pa marrëveshje, nuk ka mundësi të zgjidhet për arsye se këtu nuk emërohet kandidati, por zgjidhet dhe ai zgjidhet me shumicë të kualifikuar apo 80 vota. Për këtë arsye kërkohet që këto parti që kanë kandidat të ulen, të arrijnë marrëveshje dhe vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhet ky problem.”, – u shpreh Adnan Neziri nga ASh-ja.

Dashtevski: Ka kohë që të zgjidhet anëtari i 7-të

Më 14, gjegjësisht 15 shkurt, Kuvendi duhet të shpallë zgjedhjet. Nga KShZ-ja konsiderojnë se ka kohë të mjaftueshme që të zgjidhet anëtari i opozitës.

“Kemi kohë të mjaftueshme gjatë këtij muaji që të zgjidhet edhe një anëtarë, pra anëtari i shtatë. Shpresoj që kjo do të përmbyllet, them shpresoj, pasi që kjo është kryesisht në kompetencë të Kuvendit të Maqedonisë, ne nuk mund të ndërhyjmë në këtë. Nëse përzgjedhet anëtari, normalisht se KShZ-ja do të funksionojë më mirë me më shumë anëtarë.”, – deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.

KShZ-ja aktualisht numëron gjashtë anëtarë, katër të pushtetit dhe dy të VMRO-DPMNE-së. Kuvendi seancën e parë për këtë vit e ka paralajmëruar për më 15 janar, ndërkohë që deri në fund të këtij mandati të Parlamentit nga kalendari i zhvillimeve heq seancat pyetje të deputetëve.