Koreja e Veriut kërkoi që gati tre milionë vaksinat që i janë ofruar për të luftuar koronavirusin, të dërgohen diku tjetër. Programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka ofruar shtetit komunist vaksina kineze Sinovac.
Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara tha se Phenjani kërkoi që ato të dërgohen në vende më të goditura, për shkak të mungesave globale të vaksinave.
OBSH-ja tha se, deri më 19 gusht, Koreja e Veriut nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus.
Koreja e Veriut ka vendosur masa të rrepta kundër koronavirusit që nga fillimi i pandemisë dhe ka qenë ndër vendet e para që ka mbyllur kufijtë në janar të vitit të kaluar.