Dy mjekë po testohen nëse janë të prekur nga koronavirusi në Klinikën Infektive në Shkup. Edhe pse nuk kanë simptoma, testimi vjen pas pjesëmarrjes së tyre në një kongres në Madrid, ku njëri nga ligjëruesit ka qenë i prekur nga korona. Ministri i Shëndetësisë qetëson, thotë se mundësia që mjekët të rezultojnë pozitiv, është shumë e vogël.
Mjekët tanë në vend kanë arritur të shtunën gjatë orëve të vona, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë qenë në shtëpi dhe jo në punë. Dmth nuk kanë pasur kontakte me grup të madh njerëzish. Ata kanë treguar se me ligjëruesin nuk kanë pasur kontakt e as me person tjetër të prekur- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe njoftoi se gjendja shëndetësore e gruas me koronavirus po përmirësohet. Deri më tani gjithsej janë testuar 13 persona, të gjithë negativë nga virusi. Simptoma të virusit nuk kanë shfaqur as personat që janë në izolim. Ndërkohë edhe pse sot pritej furnizimi i shkollave me mjete dezinfektuese, Filipçe thotë kjo do të ndodhë brenda javës.
Sot hapen ofertat, pas evoluimit, gjatë ditës së nesërme do të merret vendimi dhe do nënshkruhen marrëveshjet. Menjëherë pas asaj vijon distribuimi. Për një ditë do merret vendimi, nesër dmth dhe menjëherë sipas mundësisë së operatorit ekonomik, kontaktet që do i sigurojmë me pushtetin lokal atëherë do veprojmë. Besoj se do jetë deri në fund të javës megjithatë ta shohim nesër dhe ta dimë më preciz”.
Gjatë fundjavës në Maqedoni kanë arritur rreth 10 autobusë me udhëtarë në kalimin kufitar Tabanoc si dhe disa aeroplanë me pasagjerë në dy aeroportet e vendit, ku të gjithë udhëtarët janë intervistuar dhe për asnjërin deri më tash nuk ka dyshime për prezencën e virusit. Numri i të vdekurve në korniza botërore ka tejkaluar 3,000 ndërsa i të prekurve vetëm në Kinë është më shumë se 88,000 ndërsa në pjesën tjetër të globit më shumë se 7,000. Në rajonin e Evropës deri më tash numri i të prekurve ka shkuar në mbi 2000.