Italia është vendi më i prekur nga koronavirusi, ndërsa rajoni më problematic është Lombardia.
Ditën e djeshme në Itlai u raportuan 651 vdekje të reja dhe mbi 3900 të infektuar, shifra tronditëse këto, por me një rënie të lehtë krahasuar me ditët e mëparshme.
Autoritetet italiane kanë ashpërsuar masat në një përpjekje të dëshpëruar për të frenuar përhapjen e virusit vdekjeprurës. Me një dekret të ri, kryeministri Giuseppe Conte vendosi të mbyllë aktivitetet prodhuese jo të domosdoshme.
Vendimi po kundërshtohet ashpër nga sindikatat në veri, të cilat premtojnë të mobilizohen në grevë të përgjithshme dhe pakënaqësi po shprehen edhe nga autoritetet lokale të rajoneve të ndryshme. Mbrëmjen e së dielës, pas njoftimit të masave të reja, një numër i madh personash vërshuan drejt Siçilisë, nga qyteti port i Mesinës.
“Është e papranueshme, nuk do të lejojmë të ndodhë”, ishte parajmërimi i guvernatorit të Siçilisë.
Ndërkaq, sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik, që prej fillimit të epidemisë në Itali, mbi 4800 punonjës të shëndetësisë janë prekur nga Covid-19, 9% e numrit total të të infektuarve. 21 mjekë kanë humbur jetën, i fundit prej të cilëve në Parma.