Njoftimi se Rusia e ka gati vaksinën e saj kundër Covid-19, jo vetëm që ka ngritur dyshime ndërkombëtare për sigurinë e saj, por gjithashtu ka shkaktuar rritje të madhe të dezinformatave dhe humorit në platformat e rrjeteve sociale.
Ka pasur ‘meme’ të shumta satirike lidhur me Putin. Disa e tregojnë udhëheqësin rus Vladimir Putin si superhero, si Spiderman apo Ironman që kanë synim shpëtimin e botës.
Në një prej tyre Putin shfaqet mbi një ari me një shiringë gjigante në krah.
Një version i kësaj “meme” madje pretendon, gabimisht, se ajo u shpërnda nga vetë Putin.
Një tjetër postim në Facebook me njoftimin për vaksinën u shpërnda mbi 200.000 herë. Por kjo nuk është llogari zyrtare e presidentit rus, i cili disa herë ka thënë se shmang rrjetet sociale.
Por shumë prej atyre që komentojnë në gjuhë të ndryshme në post, janë të sigurt se njoftimi u shkrua nga vetë Putin.
Një tjetër postim, gjithashtu i rremë, thotë se kjo nuk është hera e parë që Rusia e ka shpëtuar botën.
Postimi krahason satelitin e parë sovjetik i cili “i hapi njerëzimit rrugën drejt hapësirës” me vaksinën ruse e cila “do të hapë rrugën e ardhshme pa Covid-19, pa maska e izolim shoqëror”.