Koronavirusi u ka marrë jetën mbi 244 mijë vetëve në shkallë globale deri tani. Ndër viktimat e tjera të epidemisë numërohen edhe aktivitete globale, kombëtare e lokale të pezulluara, aktiviteti ekonomik i pezulluar në shkallë botërore. Specialistët thonë se një tjetër viktimë e virusit do të jetë një traditë që ka zgjatur prej shekujsh shtrëngimi i duarve që përcjell respekt, mirëdashje e besim mes miqve e të panjohurve. Por ky akt përcjell edhe mikro-organizme të rrezikshme dhe ka ardhur koha për të gjetur një mënyrë tjetër përshëndetjeje, thonë ekspertët e shëndetit publik:
Shtrëngimi i duarve e ka zanafillën si simbol paqeje, si dëshmi se personi që zgjat dorën, nuk ka armë të fshehur pas shpine. Në rrjedhën e shekujve është bërë një simbol respekti e besimi.
“Mendoj nga që kultura të ndryshme dallojmë kaq shumë nga njëra-tjetra, shtrëngimi i duarve shërben si urë lidhëse që bashkon dy individë dhe ia bën të qartë personit tjetër se nuk ia do të keqen. Në disa kultura kjo realizohet jo me kontakte fizike, por me gjeste të tjera, me një përkulje, një përshëndetje,” thotë antropologu Craig Stanford.
Në kohët moderne, politika është e paimagjinueshme pa shtrëngimin e duarve:
“Shtrëngimi i duarve shihet si një përshëndetje burrërore, ndryshe nga gjeste të tjera që mund të kenë nuanca më femërore, ndryshe nga përkulja franceze, apo përkulja që bëjnë shumë kultura aziatike. Shtrëngimi i duarve shihet si shenjë force e vitaliteti. Kur Presidenti Trump u takua me Presidentin francez, Emmanuel Macron shtrëngimi i duarve mori përmasat e një ndeshjeje fizike, kush do të zgjaste më shumë, kush do të shtrëngonte më fort,” thotë Dorothy Noyes, profesore e folklorit në Universitetin Shtetëror të Ohajos.
Në botën e sotme të shkëmbimeve dixhitale shtrëngimi i duarve është bërë mishërim i akteve që ndodhin prapa skenave apo jashtë shkëmbimeve fizike:
“Fotografët kapin momentin e shtrëngimit të duarve kur arrihet një marrëveshje. Pra shtrëngimi i duarve është simboli fizik i arritjes së diçkaje të rendësishme, është aspekti vizual i përgjegjësisë dhe rëndësisë së një akti,” thotë Profesore Noyes.
Problemi është se përveç simbolikës, shtrëngimi i duarve përcjell mikroorganizma të rrezikshme, thotë mikrobiologu Charles Gerba.
“Një ndër problemet që shoqërohen me shtrëngimin e duarve është transferimi i mikroorganizmave. Sa herë kollitesh apo teshtin, sa herë shkon në banjo, mendoni pak se çfarë mikrobesh mbajnë duart. Në çdo moment njeriu mbledh mibrobe, sa herë prek një objekt, mbledh me duar rreth 50% të mikrobeve të sipërfaqes që prek,” thotë mikrobiologu Charles Gerba.
“Viruset që transferohen me shtrëngimin e duarve përhapen shumë shpejt. Mendoj se kjo është një mënyrë më e shpejtë për përhapjen e sëmundjeve se sa teshtima,” thotë mikrobiologu Gerba.
Në fakt, sa herë shkencëtarët analizojnë se çfarë përmbajnë duart e njeriut, gjejnë një larmi bakteriesh e virusesh, shumë prej të cilave të rrezikshme. Higjena personale e individit është shumë më e mangët se ç’e mendojmë, thonë mikrobiologët. Për këtë arsye, në kushtet e koronavirusit, duket se shtrëngimit të duarve i ka ardhur fundi. Tani njerëzimi duhet të vendosë se me çfarë do ta zëvendësojë:
“Në thelb ky është një gjest simbolik, pra nuk ka rendësi nëse shtrëngon duart, përplas grushtet, apo bën diçka tjetër që ka të njëjtin kuptim. Na mbetet të biem dakord se çfarë gjesti të ri do të zgjedhim për të simbolizuar atë që përfaqësonte shtrëngimi i duarve. Nuk ka rëndësi gjesti, por mesazhi që ai përcjell,” thotë antropologu Tok Thompson.
Nuk do të jetë e lehtë të thyhet një zakon i krijuar prej shekujsh. Pak minuta pasi u bëri thirrje hollandezëve të ndalin shtrëngimin e duarve për të luftuar coronavirusin, Kryeministri Mark Rutte gjithë entuziazëm i shtrëngoi dorën kreut të Qendrës Holandeze për Kontrollin e Sëmundjeve.