Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Shollet, nesër do të qëndrojnë në Shkup. Në fokus së vizitës së tij është lufta kundër korrupsionit. Ekspertët vlerësojnë se ardhja e ekspertëve amerikanë për Luftën Kundër korrupsionit si dhe deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së, tregojnë qartë se gjendja me korrupsionin në Maqedoni është tepër alarmante.
“Për fat të keq, njëkohësisht partnerët tanë më të mëdhenj, ata amerikan, disa herë alarmojnë se korrupsioni është në një nivel tepër të lartë dhe sa më shpejt duhet të kapemi me zgjidhjen e këtij problemi i cili nuk është aq i thjeshtë dhe nuk zgjidhet brenda natës. Nga ana tjetër tek politikanët dhe bartësit e funksioneve publike shohim një mungesë të çfarëdo qoftë vullneti politik për zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi Magdalena Mihalljllovska, eksperte.
Mihajllovska shton se angazhimi i partnerëve amerikanë, tregon se ka ardhur koha që autoritetet të veprojnë konkretisht.
“Këto sinjale që i dëgjojmë tani dhe që janë aktuale për momentin, por i dëgjojmë në tre muajt e kaluar nga partnerët tonë ndërkombëtar më të rëndësishëm janë vetëm dëshmi se partitë politike, posaçërisht ata që janë tani në pushtet nuk kanë bërë asnjë ndryshim lidhur me Luftën kundër korrupsionit, përkundrazi situata vetëm se keqësohet dhe ne kemi vetëm ndryshim të pushtetit dhe Lufta kundër korrupsionit është aktuale vetëm në periudhë të zgjedhjeve kur partitë përpiqen të bëjnë ndryshime politike dhe të vijnë në pushtet, ta marrin pushtetin qendror ose lokal, e më pas asgjë nuk ndodh në fushën e korrupsionit”, tha Magdalena Mihalljllovska, eksperte.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan ishte planifikuar në dhjetor, por u anulua për shkaqe shëndetësore. Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shollet do të vijë në Shkup, me një delegacion më të gjerë, ndërsa do të vizitojë edhe Prishtinën dhe Beogradin.