-Askush nuk mund t’i japë garanci Maqedonisë së Veriut se nëse tash ndryshon Kushtetutën, se më nuk do të ketë pengesa në rrugën e saj evropiane, deklaroi eurokomisionerja për zgjerim, Marta Kos në intervistë për Redaksinë Evropiane të Lajmeve (ENR).
“Kuptoj se kjo nuk është çështje e lehtë. Ndryshimi i Kushtetutës. Kuptojmë dhe kjo është shumë njerëzore dhe e kuptueshme, që vendi juaj dëshiron të ketë garanci pas gjithçka që ka kaluar. Garanci nuk mund të ketë, por ajo që pres nga të gjitha vendet anëtare kur ka çështje dypalëshe, është që bisedimet të zhvillohen me vullnet të mirë dhe me vizion për të arritur kompromis”, tha Kos.
Ajo theksoi se kjo nuk do të thotë se KE-ja nuk po punon në atë për të ndihmuar vendin në fillimin e negociatave sipas kapitujve, duke potencuar se ajo personalisht është angazhuar në çështjen dypalëshe me Bullgarinë dhe se sot po udhëton për në Sofje për takime me të gjithë politikanët bullgarë, e pastaj do të kontaktojë dhe me politikanët në vend.
“Më mirë do të ishte nëse çështjet dypalëshe nuk do të ndërhynin në procesin e anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë se çështjet dypalëshe nuk janë të rëndësishme. E dini, mund të kuptoj që Hungaria po lufton për pakicën e saj (në Ukrainë). Mund ta kuptoj që Bullgaria po bën të njëjtën gjë, por është keq kur kjo me të vërtetë përfshihet në procesin e anëtarësimit”, tha Kos.
Ajo shfaqi shpresë se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të zhbllokuar procesin e pranimit të vendit dhe pasi kjo të ndodhë, do të lejojë që negociatat të fillojnë sipas kapitujve pa kushte të reja.
“Prandaj ne porosisim, ju lutemi përfundoni reformat dhe bëhuni gati për të hapur klasterin e parë”, tha eurokomisionerja për zgjerim.
Kos theksoi se në rrethanat aktuale e kupton plotësisht frustrimin e njerëzve në vend.
“E dini, kur u shpërbë Jugosllavia, Maqedonia në atë kohë, ishte republika e dytë më e zhvilluar në ish Jugosllavi. Për krahasim, le të themi nëse Ukraina duhet të pres për të filluar negociatat për aq kohë sa vendi juaj po pret, ato do t’i fillonim në vitin 2045”, shtoi Kos.
Ajo potencoi se edhe pse ka dinamikë të re në procesin e zgjerimit, megjithatë ai mbetet i bazuar në merita, por ajo që tani po ndikon pozitivisht është se ka një vizion të ri të Bashkimit Evropian për përshpejtimin e anëtarësimit.
“Nga ana tjetër, ne gjithashtu, veçanërisht përmes Planit për rritje, po përballemi me një lloj presioni të kolegëve, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Dhe atëherë kemi dallime. Për shembull, e dini që Shqipëria ishte së bashku me Maqedoninë e Veriut. Tani, pas ndarjes, Shqipëria ka bërë një përparim vërtet të mirë. Por, pas vetes nuk do të lëmë asnjë vend. Ne jemi fuqimisht të përkushtuar për t’i sjellë të gjithë ata në Bashkimin Evropian. Por, sigurisht, do t’i përmbahemi meritave dhe do të shohim. Ne me të vërtetë jemi shumë të përfshirë në çështjet dypalëshe, të cilat atje (në Ballkanin Perëndimor) ka mjaftë”, potencoi Kos.