Kosova dhe Izraeli vendosin të hënën marrëdhëniet diplomatike

Të hënën më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli do të nënshkruajnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Marketing

Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj – Stublla tha përmes një postimi në facebook se nënshkrimi bashkë me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gabriel Ashkenazi. do të bëhet në një ceremoni virtuale.

“Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me Shtetin e Izraelit. Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës duke theksuar se njohja nga Izraeli “është ndër arritjet më të mëdha për Kosovën e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, tha ministrja Haradinaj –Stublla.

Ajo përmendi me këtë rast përndjekjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kohën kur ata “gjetën shtëpinë e tyre mes shqiptarësh. Aty lindi besa për miqësi të përjetshme mes popujve tanë. Aty i kanë rrënjët marrëdhëniet tona historike dhe lidhjet prej dekadash mes nesh”, tha ajo duke nënvizuar mbështetjen e Izraelit për popullin e Kosovës në periudhën e luftës së vitit 1999.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtim i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.