Kosova dhe RMV pritet të lehtësojnë formën e kalimit të kufirit

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë diskutuar lidhur me një “rrugë të shpejtë” për kalimin e kufirit ndërmjet dy shteteve.

Marketing

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e lëshuar për shtyp nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, derisa thuhet se kjo u diskutua përgjatë një takimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij, Dimitar Kosaçevski, shkruan lajmi.net.

“Një nga qëllimet e ardhshme në lehtësimin e lidhjeve mes dy shteteve pritet të jetë konkretizimi i interesit për hapjen e “One Stop Shop”, një rrugë e shpejtë për të kaluar kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Në fushën e lidhjes së shpejtë, Kryeministri Kovaçevski e njoftoi Kryeministrin Kurti edhe për përparimin e realizimit të autostradës Shkup – Bllacë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri maqedon ka ofruar mbështetje edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Sa i përket çështjeve rajonale, në takim u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut e mbështet dialogun Prishtinë-Beograd në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, të pranueshme në mënyrë reciproke, me të cilën do të garantohet stabiliteti, siguria dhe përparimi i të dy vendeve dhe rajonit në tërësi”, thuhet më tej në njoftim.