Kosova dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në çdo mision të mundshëm të udhëhequr nga SHBA në Ukrainë, teksa frika për një pushtim rus po rritet. Fqinjët e tyre, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ende nuk kanë dhënë asnjë koment.
Mediat e huaja shkruajnë se në kohën kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara gjithnjë e më shumë për grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, disa vende të Ballkanit po ofrojnë tashmë shërbimet e tyre në çdo përgjigje të mundshme të udhëhequra nga SHBA.
Presidenti i SHBA Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të bisedonin të martën. Ursula Von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, paralajmëroi se çdo “agresion” rus kundër Ukrainës nuk do të mbetet pa përgjigje.
“Ne do t’i përgjigjemi çdo agresioni të mëtejshëm duke rritur dhe zgjeruar sanksionet ekzistuese,” tha Von der Leyen.
Teksa SHBA dhe NATO duket se nuk ka gjasa të kenë një përgjigje të madhe ushtarake ndaj një pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës tha se ishte e gatshme për të ndihmuar gjithsesi.
“SHBA-të, si aleati ynë strategjik kryesor dhe i pazëvendësueshëm, i dinë më së miri aftësitë dhe kapacitetet operacionale të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe nëse vlerësojnë se mund të angazhohen kapacitetet tona, siç jemi zotuar gjithmonë, do të jemi të gatshëm të jemi përkrah tyre në çdo operacion në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal” -tha për BIRN kolonel Sefer Isufi, Shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, duke vënë në dukje se forcat e Kosovës kishin “marrë pjesë aktive” me NATO-n në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani.
Kudo që janë SHBA-të, aty është edhe Kosova!”. ka thënë Isufi. Kosova nuk është anëtare e NATO-s, pjesërisht sepse katër nga 30 shtetet anëtare të aleancës perëndimore – Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Greqia – nuk e njohin pavarësinë e saj.
Shqipëria, e cila u bashkua me NATO-n në 2009, ka lënë të kuptohet gjithashtu se është e gatshme të marrë pjesë në çdo mision të ardhshëm të NATO-s në Ukrainë. “Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të mbështesin çdo vendim që marrin SHBA-ja dhe NATO-ja”, tha të hënën koloneli i Forcave të Armatosura Ardian Lulaj në një intervistë televizive.
“Nëse kërkohet, ne do të bashkohemi sepse pjesëmarrja në NATO nuk ka të bëjë vetëm me marrjen, por edhe me dhënien,” tha ai. “Ju siguroj se ushtarët janë gjithmonë gati.” Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë të dy anëtarë të NATO-s, por nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN-it në lidhje me situatën në Ukrainë./