Kosova e gatshme për nesër, KQZ shpërndan materialin zgjedhor,apelohet për dalje

Në ditën kur vendi është në heshtje zgjedhore, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor nëpër depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve.
Kosova, të dielën, mban zgjedhjet parlamentare të parakohshme në të cilat garojnë 25 subjekte politike dhe në listën përfundimtare janë 1 milion e 937 mijë votues, të cilët kanë mundësi të votojnë në 2 mijë e 547 vendvotime, raporton KTV.

Marketing

Përderisa, presidenti Hashim Thaçi ka takuar krerët e institucioneve të sigurisë e të drejtësisë.

Në takim me drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni, Thaçi tha se Kosova ka ndërtuar traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe vlerësoi procesin e deritanishëm si të mirë dhe pa incidente që do ta cenonin procesin elektoral.

“Jam i sigurt se edhe këto zgjedhje do të jenë të lira e demokratike”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa, udhëheqësit e këtyre institucioneve kanë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për të reaguar në çfarëdo situate.

Nga koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, kanë thënë se janë akredituar 18 mijë vëzhgues dhe 3 mijë vullnetarë për vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin.

Edhe KEDS-i ka deklaruar se të dielën do të ketë furnizim me energji në të gjitha qendrat e votimit dhe se problemet do të eliminohen në kohën më të shkurtër të mundshme.

Marketing