Kosova heq kufizimin e lëvizjes, siguron vaksinat e para

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të heqë kufizimin e lëvizjes dhe ka lehtësuar një sërë masash të tjera të vendosura kundër pandemisë. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se janë përmbyllur me sukses negociatat me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e vaksinave.

Marketing

Sipas tij, tashmë do të jetë e mundur që të vaksinohen edhe grupet e tjera të qytetarëve, përveç atyre me prioritet. Kurti tha se me këtë do të mundësohet arritja e objektivit për vaksinimin e 60 për qind të popullatës deri në fund të vitit. Mirëpo, ai nuk dha detaje lidhur me kontratën dhe numrin e vaksinave të blera.

Ndërkaq, në mbledhjen e mbajtur të premten, Qeveria e Kosovës tha se lehtësimi i masave kundër COVID-19 po bëhet për shkak se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së numrit të rasteve pozitive. Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 31 maj.

“Ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit, krahasuar me dy javët paraprake shënon rënie për 67.08 për qind”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Pavarësisht se do të hiqet kufizimi i lëvizjes, ministri Vitia tha se nga ora 00:00 deri në ora 05:00, nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave, qoftë në ambiente të hapura, qoftë në ambiente të tjera, përveç në ambientet me anëtarët e familjes.

Po ashtu, është vendosur që mbajtja e maskave të mos jetë obligative kur një person është vet në ambientet e jashtme.

“Heqja e pjesërishme e kufizimeve po bëhet me përgjegjësi dhe përgatitjet e nevojshme për përballje me një situatë eventuale të rritjes së numrit të infeksioneve. Andaj, ndryshimi i situatës epidemiologjike, rrjedhimisht kërkon vendime dhe masa të reja konform situatës së re”, tha Vitia.

Shërbimet e gastronomisë do të lejohet që të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 23:00.

Ditë më parë, përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë protestuan në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e masave. Në të kundërtën ata kishin paralajmëruar se nuk do të respektojnë masat e qeverisë.

Po ashtu, qeveria ka lejuar kthimin e stafit esencial në punë. Në Kosovë, ditëve të fundit ka pasur një rënie të rasteve të reja me COVID-19. Gjatë pesë ditëve të fundit, në vend janë regjistruar 110 raste me koronavirus dhe katër viktima.

Ndërkaq, që prej marsit të vitit 2020, e deri më 28 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 107.354 raste me COVID-19. Prej tyre, 2.242 pacientë kanë vdekur dhe 102.519 janë shëruar. Raste aktive janë 2.593.

Procesi i imunizimit në Kosovë nisi në fund të marsit dhe deri më tani është kryer me vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe nga donacionet BE-së. Të enjten, Kosova pranoi një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.

Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor. Në fazën e fundit është paraparë të vaksinohet 50 për qind e popullatës./

Marketing