Kosova në bllokadë politike, paralajmërohen dëme të mëdha ekonomike

Krijimi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, nga ekspertë të çështjeve ekonomike, listohen si dy prioritetet më të rëndësishme në aspektin ekonomik për vitin 2020.Por ekspertët e ekonomisë thonë se “bllokada politike, do të shkaktojë probleme në ekonominë vendore”.

Marketing

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se bllokada politike do të shkaktojë probleme në ekonominë vendore. Njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, thotë për Radio Kosovën se problemi do të jetë për realizimin e projekteve kapitale.

Sipas tij, shëndetësia, arsimi, hapja e vendeve të reja të punës duhet të jenë prioritetet e qeverisë së ardhshme, për zhvillimin e vendit.

“Vonesat për krijimin e institucioneve përveç aspektit ekonomik, ato ndikojnë edhe në imazhin e shtetit dhe në dekurajimin e investimeve të jashtme, për të cilat Kosova ka nevojë. Arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë dy sektorët primarë në qeverinë e ardhshme, për shkak se këta dy sektorë janë para kolapsit, për të mos thënë të kolapsuar”, tha Gashi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rrukiqi, kërkon që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të vendit, për siç thotë ai, vonesa e krijimit të tyre është në dëm të pariparueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kosova nuk ka komoditetin që ka rritje vetëm ekonomike, në vitin 2019, nuk kemi arritur që të krijojmë rrethana dhe kemi një rritje të qëndrueshme, jo katër për qind apo pesë për qind, por të shkojmë tutje, shtatë apo tetë”, tha ai.

E Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, thotë për Radio Kosovën se qeveria e ardhshme prioritet duhet ta ketë hartimin e Strategjisë Kombëtare për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në atë strategji do të duhet të jetë prioriteti i zhvillimit ekonomik të vendit, ne nuk e dimë aktualisht se cili është prioriteti zhvillimor i vendit, si privat, ne mund të themi se kemi disa iniciativa, por si shtet ato shpesh janë penguar. Prandaj, hartimi zhvillimor për ekonominë e vendit, duhet të jetë prioritet i qeverisë në ardhje dhe atyre të ardhshme në vazhdimësi, që të kenë fokus një planprogram”, tha Shahini.

Ekspertët ndërkaq vlerësojnë se duhet të zhvillohet projekti për Gjykatën Komerciale dhe të shtohet siguria, sepse kjo sipas tyre, mund të ndikojë edhe në prurjet e investimeve të huaja në Kosovë. Sidoqoftë, Kosova ka hyrë në vitin e ri, pa miratimin e buxhetit për vitin 2020, i cili për këtë vit, pritet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.