Kosova notë proteste Maqedonisë së Veriut, pas incidentit të presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit

Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut pas insidentit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Marketing

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë mbrëmë, pas incidentit dhe trajtimit jo dinjitoz që thuhet se iu bë presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, të enjten.

Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident.

Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Njoftimi i plotë i MPJD:

Lidhur me incidentin e djeshëm në Aeroportin e Shkupit, ku Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Dr. Vjosa Osmani, u ballafaqua me një trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga ana e pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm duke kërkuar informata zyrtare dhe detaje të rastit nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kosovë.

Në lidhje me këtë incident, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë mbrëmë menjëherë pas incidentit dhe po ashtu edhe sot, duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin.

Gjithashtu, Ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndermarrjes së veprimeve të shpejta institucionale.

Në kuadër të veprimeve të ndermarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm.

Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.