Kosova nuk do të raportojë sot shifrat e Covid! Ja arsyeja

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme se në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, janë duke u testuar rreth 400 mostra të marra për koronavirusin e ri.

Marketing

“Rezultatet e këtyre mostrave do të publikohen gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftim.

Deri më tani, njoftimet e Institutit të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) janë shpallur çdo ditë, në orët e vona të mbrëmjes. Por Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se që nga data 15 korrik, njoftimet për rastet e reja të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19, do të bëhen publike në ora 15:00.

“Për shkak të kalimit të raportimit për publikimin e rezultateve prej raporteve ditore në orët e mbrëmjes në raportim ditor në ora 15:00, ju lusim për mirëkuptim dhe durim deri në publikim e rezultateve të testimeve nga IKSHPK, që do të bëhet nesër në ora 15:00!”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri më 13 korrik, janë regjistruar në total 5,118 raste.

Prej tyre, 108 pacientë kanë humbur betejen me COVID-19; 2,370 janë shëruar; ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 2,640.