Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media me trupin qeveritar anti-COVID-19, ka njoftuar se që nga data 15 prill në ora 06:00, në bazë të vendimit të ri, qytetarët e Kosovës nuk do të lejohen të dalin nga shtëpitë. Ata do të kenë të drejtë të lëvizin në rrugë vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.
“Që nga data 15 prill në ora 06:00 ndalohet qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive, përveç për furnizim me ushqim dhe barna, si dhe për detyrat e nevojat financiare per 1 orë e gjysmë në ditë”, tha Vitia.
Ministri Vitia, gjatë prezantimit të masave të reja ndaj luftimit të sëmundjes COVID-19, bëri të ditur se personave të moshuar u rekomandohet të mos dalin nga shtëpitë përveç në raste urgjente.
“Qytetarët e Kosovës janë të obliguar që kur dalin në rrugë të mbajnë maska ose mbulesa tjera për pjesën e gojës dhe hundës”.
“Kur dalin në rrugë, personave fizikë nuk u lejohet shoqërim nga asnjë person, përveç në dy raste – personave me aftësi të kufizuara dhe personave nën 16 vjeç”, tha ministri Vitia.
Orari i qarkullimit të qytetarëve:
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se lëvizjet e qytetarëve për të kryer nevojat thelbësore do të ndahen në 7 grupe.
Kategorizimi është bërë në bazë të numrit të parafundit personal që qytetarët kanë në letërnjoftim.
“Qytetarët do të lëvizin nga ora 7:00 deri në orën 22:30. Janë ndarë në shtatë kategori, përs hembull, nga ora 7 deri 8:30 do të lëvizin qytetarët që kanë një numër të caktuar në numrin personal. Pastaj do të bëhet defiznfektimi i hapësirave ku ka qarkulluar ky numër i qytetarëve”, tha Vitia, për të shtuar se në bazë të përllogaritjeve të para, rreth 40 mijë qytetarë brenda një ore e gjysmë mund të dalin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kjo është tabela e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, me numrat e parafundit personal në letërnjoftimet e qytetarëve, në bazë të së cilës organizohet qarkullimi.
Për shtetasit e huaj që nuk posedojnë numër personal të Republikës së Kosovës orari i lejuar bazohet në shifrën e parafundit të pasaportës.
Mosrespektimi i masave të këtij vendimi konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro gjobë për personat fizik dhe 3 mijë deri 8 mijë euro për personat juridik, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet deri nga 500 deri 1500 euro.