Shtatëmbëdhjetë viktima të reja nga sëmundja COVID-19 janë regjistruar të mërkurën (24 mars) në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se janë shënuar edhe 781 raste të reja me koronavirusin e ri, bazuar në 3.634 mostra të testuara.
Më së shumti persona pozitivë kanë dalë në Prishtinë: gjithsej 243 raste.
Gjatë 24 orëve të fundit nga sëmundja janë shëruar edhe 764 pacientë.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shënuar në mars të vitit 2020. Që nga ajo kohë janë regjistruar gjithsej 84.498 të infektuar, prej të cilëve 69.887 janë shëruar ndërsa 1.803 kanë vdekur.
Sipas IKSHPK-së, raste aktive aktualisht janë 12.808.