Kosovë: 4 të vdekur, 142 raste të reja me koronavirus

Në Kosovë u regjistruan në 24 orët e fundit edhe katër viktima nga koronavirusi dhe 142 raste të reja pozitive.

Marketing

Këto të fundit rezultuan nga testimi i 485 mostrave.

Shifrat u bënë të ditura nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, gjatë një konference për media të mbajtur në Gjilan.

Ramadani po ashtu tha se IKSHPK-ja ka konfirmuar 101 raste të të shëruarve.

Me shifrat e fundit, numri total i rasteve pozitive shkon në 5,877.

Prej tyre, 139 pacientë kanë humbur jetën, ndërsa 3,069 janë shëruar.

Në konferencën për media në Gjilan morën pjesë edhe ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Krasniqi bëri të ditur se, aktualisht, 240 pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe 324 në spitalet e përgjithshme.

Ministri Zemaj tha se ka themeluar bordin këshillëdhënës për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, për të ndihmuar në, siç tha, përmirësimin e shëndetit publik.

Bordi do të udhëhiqet nga mikrobiologu Lul Raka.

Marketing