Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia ka bërë të ditur se sot në vend kanë mbërritur 7 mijë teste me të cilat do të detektohen të infektuarit me koronavirus (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë, siç ka bërë të ditur Vitia nëpërmjet rrjeteve sociale, është iniciuar kërkesa për furnizim edhe me 10 mijë teste të tjera.
“Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19. Në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF-i me materiale shtesë”, ka bërë të ditur Vitia.
Ministri Vitia shtoi se përmes Bankës Botërore (BB), kanë përfunduar procedurat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna.
Ai theksoi se krahas veprimeve institucionale, edhe individë, biznese brenda dhe jashtë Kosovës po vazhdojnë të solidarizohen me donacione të shumta, ndërsa rreth 300 vullnetarë aktualisht janë në krye të detyrës për t’i ndihmuar qytetarëve dhe personelit shëndetësor.
Në Kosovë nga data 8 mars deri më tash janë testuar në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK mbi 991 mostra të dyshimta për virusin COVID-19 dhe prej tyre gjithsej 88 raste kanë rezultuar pozitiv, ndër të cilët një person ka vdekur dhe një është shëruar.