Kosovë/ Më 21 prill votohet për largimin e kryetarëve në veri

Me tetë vota për dhe dy abstenime, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votuan rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.

Marketing

Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.

Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kreu i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha gjatë mbledhjes së KQZ-së se në komunën e Leposaviqit peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit të komunës e kanë nënshkruar 3.030 persona. Prej tyre, 2.905 është verifikuar se u përkasin banorëve të kësaj komune me të drejtë. Me këtë shifër është plotësuar kërkesa prej 20 për qind, pasi kërkohej që të mblidheshin nënshkrimet e së paku 2.689 personave.
Në Zubin Potok, nga 1.576 nënshkrime, 1.380 janë vërtetuar se u përkasin qytetarëve me të drejtë vote. Nga numri i përgjithshëm i votuesve, që peticioni të konsiderohej i vlefshëm në këtë komunë kërkoheshin që të mblidheshin së paku 1.347 nënshkrime.

Sa i përket peticionit në Zveçan, ai, sipas KQZ-së, u nënshkrua nga 1.834 persona dhe nga ky numër 1.380 u vërtetuan se u përkisnin qytetarëve që kanë të drejtë vote në Zveçan. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej të mblidheshin së paku 1.347.

Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut u mblodhën 4.148 nënshkrime prej të cilave 3.653 u përkisnin banorëve me të drejtë vote. Në këtë komunë kërkoheshin së paku 3.640 nënshkrime në mënyrë që peticioni të konsiderohej i vlefshëm.

Mbledhja e nënshkrimeve në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, u bë janarin e këtij viti.

Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet e prillit të vitit 2023.

Kjo parti, që është partia më e madhe në Kosovë e serbëve dhe ka mbështetjen e Beogradit, kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar.

Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.

Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç./REL