Kosovë, në periudhën e pasluftës mërgimtarët kanë kontribuar me mbi 40 miliard euro

Mërgimtarët që nga viti 1999 e deri më tash llogaritet se kanë dërguar në Kosovë mbi 40 miliard euro në mënyra të ndryshme.

Marketing

Ky kontribut i diasporës nga njohës të zhvillimeve ekonomike po vlerësohet mjaft i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe social në Kosovë.

Ndërsa, sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, vetëm sivjet remitencat nga bashkatdhetarët arrijnë rreth 800 milionë euro ose 13 për qind më shumë se në periudhën e vitit paraprak.

Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu thotë për KosovaPress se diaspora ka qenë dhe vazhdon të mbetet shtylla kryesore e qëndrueshmërisë shtetërore e Republikës së Kosovës. Veç kësaj, ish-kryetari Odës Ekonomike të Kosovës thotë se edhe vet zanafilla e fillimit të luftës për Republikën fillon nga diaspora.

“Llogaritet se në mënyrë direkte, indirekte dhe perifere, diaspora ka dërguar më tepër se 40 miliardë euro dhe po e shihni se sa qenka i rëndësishëm kontributi i diasporës. Në qoftë se kemi pasur një buxhet të miratuar në parlamentin e Kosovës, dihet së me tepër se 50 për qind kanë shkuar për shpenzime paraprake për paga dhe mëditje. Ndërsa, pjesa tjetër ka qenë e destinuar për keqpërdorim dhe për tenderomani. Pra, kush e ka ruajtur stabilitetin ekonomik dhe social në Kosovë përveç diasporës. Prandaj, besoj që meriton një konsideratë dhe respekt më të madh. Ndërsa, në vitin 2020 kur kemi tkurrje të të hyrave në doganë, në ATK e kemi vërtet një mbështetje enorme të diasporës ku kanë ardhur pothuajse 800 milionë euro. Flasim për dërgesa në mënyrë direkte, por duhet kuptohet që kontributi më i madh i diasporës për Kosovën ka qenë qëndrimi i tyre në Kosovë gjatë pushimeve të verës dhe të dimrit”, thotë ai.

Me tej Gërxhaliu ka thënë se në këtë fundvit diaspora ka arrit trefishin e rëndësisë së pakos emergjente në Kosovë.

“Vetëm qëndrimi i tyre afër 100 mijë mërgimtarëve në Kosovë në festat e fundit e ka të paktën trefishin e rëndësisë që ka një pako emergjente e miratuar me vonesë, e politizuar, e amortizuar çfarë ka qenë ajo në parlamentin e Kosovës e propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

Guvernatori Fehmi Mehmeti thekson se remitencat nga diaspora në këtë kohë të vështirë pandemike vazhduan rrjedhën e saj, ku deri në tetor 2020 kanë shënuar 796.5 milionë euro, me një rritje vjetore 12.9 për qind.

“Një faktor që ka ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës kanë qenë remitencat nga diaspora, të cilat në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore vazhduan rrjedhën e vazhdueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 12.9 për qind”, tha Mehmeti.

Në bazë të një raporti të fundit nga Instituti GAP “Ndikimi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pandemisë COVID-19”, thuhet se në kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh.

“Diaspora ka ndikim në ekonominë e Kosovës qoftë përmes remitencave, investimeve të huaja direkte (IHD), dërgimit të gjësendeve për familjet e tyre apo edhe përmes shpenzimeve që i bëjnë gjatë vizitave në Kosovë”, thuhet në raportin e Institutit GAP.

Sipas raportit një pjesë e madhe e investimeve në patundshmëri në Kosovë bëhen nga diaspora. Siç tregon edhe anketa e kryer nga UNDP, mbi 35% e diasporës janë përgjigjur se investojnë në Kosovë, kryesisht në blerjen e patundshmërive për përdorim personal (60%) dhe investim në biznese familjare (23%).

Gjatë 10 vjetëve të fundit, Investimet e Huaja Direkte në Kosovë kanë pësuar luhatje dhe nuk kanë qenë të qëndrueshme.

Marketing