Kosovë/Paralajmërohen masa të reja për secilën komunë

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka thënë se gjatë ditës do të bëhen publike vendimet e reja për secilën komunë.

Marketing

Kjo sipas Zemajt do të bëhet pas publikimit të statistikave nga Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Sot e kemi vlerësimin që bëhet nga IKSHPK. Pas orës 15:00 do të publikohen vendimet e reja për çdo komunë”, tha Zemaj në konferencën për media për punësimin e specialistëve të pa punë.

Zemaj ka thënë se nga e marta do të hapet konkursi i specialistëve të papunë në ShSKUK.

“Sot do ta ndajmë lajmin e ri për specialistët e pa punë. Kjo është ditë e madhe dhe është lajm i mirë për qytetarët dhe shëndetësinë kosovare. E konfirmojmë se specialistët po punësohen, SHSKUK nga nesër hap konkursin për specialistët e papunë. Nga sot nuk ka më asnjë mjek që do të mbetet në rrugë. Edhe në të ardhmen nuk do të lejoj që asnjë mjek të mbetet i papunë”, ka thënë Zemaj.

“Ky nuk ka qenë vetëm premtim, por zotim i Qeverisë së Kosovës, por ne nuk do të ndalemi, dhe ministrat paraprak çështjen e punësimit e kishin peng”.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka folur edhe për ndërtimin e spitalit COVID-19, të paralajmëruar dy muaj më parë.

“Edhe sot në takim është kërkuar që të shpejtohet dinamika e procedurave, procedura teknike kanë përfunduar dhe procesi duhet të përmbyllët”, ka thënë Zemaj.

Që nga fillimi i pandemisë më 13 mars të këtij viti deri më 14 nëntor, në Kosovë janë infektuar 28.616 persona prej të cilëve 17.055 janë shëruar ndërsa 809 kanë vdekur.

Në ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve duke detyruar autoritetet të vendosin masa kufizimi në lëvizje në disa komuna të vendit.