Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 23-të ka nisur procedurat për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga koronavirusi.
Kjo është bërë e ditur në njoftimin e Zyrës për Media të qeverisë së Kosovës.
Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas vendimit për marrëveshjet financiare të huasë është dyqind e pesëdhjetë milionë euro me interes jo më të lartë se 3 për qind me afat të maturimit deri në 15 vjet.
Ky është njoftimi i plotë:
Kabineti qeveritar ka miratuar Nismën për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga Virusi Corona (COVID 19), me Institucionet Ndërkombëtare Financiare, si në vijim:
· Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore;
· Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim;
· Fondi Monetar Ndërkombëtar;
· Banka Islamike për Zhvillim;
· Agjensionet zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit; dhe
· Institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Evropian;
· Banka Evropiane e Investimeve.
Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë sipas këtij vendimi për marrëveshjet financiare të huasë është dyqind e pesëdhjetë milionë (250,000,000.00 €) ose ekuivalent, me afat të maturimit deri në pesëmbëdhjetë (15) vite dhe me normë të interesi jo më të lartë se tre (3 %) për qind.